Organizata e mediave në Evropën Jugore dhe Lindore SEEMO, një rrjet i gazetarëve nga Evropa Juglindore dhe një degë e Institutit Ndërkombëtar të Shtypit, e dënuan sot ashpër kërcënimin që i është bërë gazetarit të së përditshmes prishtinase “Infopres”, Visar Duriqi nga ana e një afaristi.
Gazetari pohon se është kërcënuar pas përpjekjeve të tij për të shkruar në lidhje me një tender publik. Sekretari i Përgjithshëm i organizatës Oliver Vujovic, citohet e ka cilësuar tronditës këtë rast.
Kërcënimi i gazetarit, në lidhje me disa pyetje të thjeshta, është i papranueshëm dhe çdo kërcënim ndaj gazetarëve, qoftë fizik apo verbal, duhet dënuar ashpër.
Organizata u ka bërë thirrje autoriteteve në Prishtinë që ta hetojnë këtë rast, të sigurojnë mbrojtjen e gazetarit Duriqi dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme kundër personit, i cili kërcënoi gazetarin.