Lidhje

Kerry: ISIL, rrezik për të gjitha vendet e botës


Sekretari i Shtetit John Kerry paralajmëroi se grupi xhihadist Shteti Islamik përbën rrezik jo vetëm për Irakun dhe Sirinë, por për të gjitha vendet e botës. Sekretari Kerry kryesoi një sesion të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku bëri thirrje për një qëndrim gjithëpërfshirës për të mundur atë që ai e cilësoi një "kult që pretendon të jetë një lëvizje fetare."

Sekretari Kerry i tha Këshillit të Sigurimit se Shteti Islamik, i njohur gjithashtu me akronimet ISI, ose ISIS - nuk është veçse një grup terrorist që duhet luftuar dhe mundur:

"Përballë kësaj të keqeje të madhe kemi vetëm një alternativë: ta konfrontojmë atë me një fushatë globale, tërësore dhe të aftë për t'u siguruar, se qoftë në Irak, qoftë në Siri, apo gjetkë, ISIL nuk mund të gjejë strehë." - tha ai

Zoti Kerry tha se koalicioni, të cilit do t'i kërkohet të eliminojë ISIL-in, nuk do të jetë vetëm ushtarak, duke shtuar se ai duhet të jetë tërësor dhe të përfshijë një bashkëpunim të ngushtë në shumë drejtime mes një numri të madh vednesh të botës, duke pranuar mundësinë që edhe Irani të marrë pjesë në të:

"Çdo vend i botës mund të luajë një rol, përfshirë Iranin, ministri i jashtëm i të cilit ndodhte sot këtu me ne. ISIL përbën kërcënim për të gjithë dhe ne jemi të përkushtuar të punojmë në partneritet të ngushtë me qeverinë e re irakiane dhe me vendet e mbarë botës për ta mundur atë."

Ai tha se mbi 50 vende të botës janë bashkuar në koalicionin për të luftuar ISIL-in. Franca është një prej tyre.

Të premten, Franca tha se avionët e saj luftarakë kryen me sukses goditjet e para ajrore kundër kryengritësve të Shtetit Islamik brenda Irakut, në pjesën verilindore të vendit. Avionët goditën një depo logjistike të ekstremistëve në Irakun verilindor, duke e shkatërruar atë krejtësisht.

Ministri i Jashtëm francez Laurent Fabius i tha Këshillit të Sigurimit se Shteti Islamik nuk është shtet, por një tufë "katilësh", që përdorin forma mizore si mjet propagande. Ai foli përmes përkthyesit:

"Duke patur parasysh këtë kërcënim, mosveprimi nuk është një mundësi."

Shqetësimi ndërkombëtar për Shtetin Islamik u pa qartë nga dhjetra vende që morën pjesë në sesionin e së premetes, shumë prej tyre në nivel ministerial. Mes tyre ishte edhe Ministrja e Jashtme australiane, Julie Bishop, vendi i së cilës ditët e fundit shkatërroi një celulë të frymëzuar nga Shteti Islamik në territorin e vendit.

Ajo tha se qeveria e saj po dislokon në rajon një forcë ushtarake, për një përfshirje të mundshme në përpjekjen e udhëhequr nga SHBA për të mbështetur Irakun në luftën kundër grupit:

"Ne jemi gati që çojmë avionë luftarakë dhe një grup të Forcës Speciale për të ndihmuar forcat irakiane të sigurisë."

Arabia Saudite i ka dhënë Kombeve të Bashkuara 500 millionë dollarë për të ndihmuar në financimin e përpjekjeve humanitare për afër 2 milionë irakainët e zhvendosur nga dhuna.

Ndërsa Bahreini ofroi të organizojë së shpejti një konferencë ndërkombëtare, ku të zhvillohet një plan global veprimi për t'iu kundërvënë financimit të terroristëve.

Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit Abbas Araghchi bëri thirrje për një trajtim rajonal të problemit, duke thënë se çdo nismë e vërtetë e çiltër duhet të vijë nga rajoni dhe të bazohet tek bashkëpunimi rajonal.

Ministri i Jashtëm i Irakut, Ibrahim al-Jafari, i mirëpriti zotimet ndërkombëtare dhe kërkoi vazhdimin e operacionit ushtarak. Ai tha se Shteti Islamik dhe luftëtarët e tij duhet të luftohen jo vetëm në vendin e tij, por edhe në vendet fqinjë.

Të mërkurën e ardhshme, në kuadrin e debatit të përvitshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Presidenti Barak Obama do të kryesojë një takim të posaçëm të Këshillit të Sigurimit lidhur me çështjen e lufëtarëve të huaj.

XS
SM
MD
LG