Lidhje

Sarkozy përballë akuzave për korrupsion


Former French President Nicolas Sarkozy arrives at the courtroom, Nov. 23, 2020 in Paris.
Former French President Nicolas Sarkozy arrives at the courtroom, Nov. 23, 2020 in Paris.

Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy u paraqit në gjyq të enjten për t'u përballur me akuza për korrupsion. Ai akuzohet se është përpjekur për të korruptuar një gjykatës me qëllim që të merrte informacion në lidhje me një hetim rreth fushatës së tij presidenciale të vitit 2007. Ish-kreu i shtetit këmbëngul se është i pafajshëm.

Është e pazakontë të shohësh një ish-president duke hyrë në sallën e gjyqit me avokatët e tij për t’u gjykuar. Kjo skenë po ndodh në Paris, ku Nicolas Sarkozy përballet me akuza për rryshfet dhe përdorim të influencës.

Jean-Claude Beaujour, avokat i shoqatës Francë-Amerikë, komentoi për Zërin e Amerikës.

"Është shumë e pazakontë që një ish-kryetar shteti në Francë të ndiqet penalisht për korrupsion," tha Beaujour. "Ish-presidenti Sarkozy dyshohet se është përpjekur për të korruptuar një gjykatës të rangut të lartë në këmbim të informacionit mbi një çështje gjyqësore që lidhet me vetë Nicolas Sarkozy-në”.

Prokurorët thonë se Sarkozy i premtoi një punë të paguar mirë në Monako një gjykatësi, në këmbim të informacionit të brendshëm mbi një hetim rreth pretendimeve se ai pranoi pagesa të paligjshme nga trashëgimia e trashëgimtares së firmës L'Oreal, Liliane Bettencourt gjatë fushatës së tij presidenciale në vitin 2007.

Sarkozy vazhdimisht i ka mohuar akuzat.

Gjyqtarët po e mbështesin çështjen e tyre në provat e regjistruara nga përgjimet e bisedave telefonike midis zotit Sarkozy dhe avokatit të tij. Të dy ata janë objekt i një hetimi tjetër për financimin e dyshuar nga Libia të fushatës së zotit Sarkozy në vitin 2007.

Ish-presidenti francez e ka kundërshtuar ligjshmërinë e përgjimit. Ai e mbrojti veten në fillim të këtij muaji në një intervistë për kanalin francez BFMTV.

Sarkozy tha se i vjen keq që e gjithë jeta e tij private ka qenë përgjuar. Sipas tij, është skandaloze që privilegji avokat-klient nuk u respektua pasi bisedat telefonike mbrohen sipas dispozitave të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. "Unë nuk jam mashtrues dhe kjo që po kaloj është skandal," këmbënguli Sarkozy.

Gjyqi pritet të zgjasë tre javë. Nëse shpallet fajtor, ish-presidenti mund të përballet me deri në 10 vjet burgim dhe një gjobë 1.2 milion dollarë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG