Ministri i Jashtëm në largim i Kosovës, Behgjet Pacolli, tha të mërkurën se laureati i çmimit Nobel për letërsi, Peter Handke, është shpallur “person i padëshiruar” në Kosovë.
“Sot kam vendosur ta shpall Peter Handke si persona non-grata në Kosovë për shkak të mbështetjes që ai i dha Millosheviçit dhe politikave të tij gjenocidale në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë dhe mohimin e gjenocidit të kryer nga Serbia. Ai dhe Komiteti i Nobelit treguan mos-respekt ndaj viktimave të gjenocidit”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Më herët gjatë ditës Asambleja e Kantonit të Sarajevës miratoi njëzëri një deklaratë duke e shpallur zotin Handke të padëshiruar, pasi që tha në një intervistë të fundit se mund të vizitojë rajonin autonom serb në Bosnje, vitin e ardhshëm.
"Vizita e tij e mundshme në atdheun tonë ... do të shkaktonte zemërim shtesë dhe poshtërim të të gjitha viktimave," thuhet në deklaratë, në të cilën dënohet ndarja e çmimit Nobel për një "mohues të gjenocidit".
Qindra veta protestuan të martën mbrëma në Stockholm kundër ndarjes së këtij çmimi, ndërsa ambasadorët e Kosovës, Shqipërisë, Kroacisë, Bosnjë, Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, bojkotuan ceremoninë e ndarjes së tij.
Kritikët e quajnë autorin Handke, mohues të gjenocidit, dhe vënë në pah lidhjet e tij me Sllobodan Millosheviçin, deklaratat në mbrojtje të nacionalizmit serb dhe kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Ai kishte mbajtur edhe fjalim në vitin 2006 në funeralin e ish presidentit serb i cili vdiq në Hagë derisa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid.
Facebook Forum