Lidhje

Art me drita në urën e Gjirit të San Franciscos


Më tepër se 3 kilometra e gjatë dhe rreth 150 metra e lartë, vepra përdor rreth 25 mijë llampa LED të bardha, të programuara individualisht për të krijuar motive komplekse

Ura e Gjirit të San Franciscos jeton nën hijen e urës tjetër më të famshme pranë saj, Golden Gate. Por tani ajo do të jetë e transformuar prej skulpturës më të madhe të dritave në botë. Më tepër se 3 kilometra e gjatë dhe rreth 150 metra e lartë, ajo do të përdorë 25 mijë llamba LED të bardha të programuara individualisht për të krijuar motive komplekse me një ndriçim vezullues.

Ndërsa mbi gjirin e San Franciscos bie muzgu, ura e Gjirit San Francisco-Oakland del nga errësira.

Struktura është shndërruar në projektin e ri, dhe më të madh, të artistit nga Nju Jorku, Leo Villarreal. Ai ka programuar individualisht 25 mijë drita të bardha, të vendosura rreth 30 centimetra larg njëra-tjetrës, në 300 kabllo vertikale, për të krijuar atë që po cilësohet si skulptura e ndriçuar më e madhe në botë.

"Skulptura “The Bay Lights”, përbëhet nga pothuajse 25 mijë drita të bardha LED të cilat i kemi vendosur në kabllot e Urës së Gjirit. Bëhet fjalë për pjesën prej rreth 3 kilometrash të urës midis San Franciskos dhe Treasure Island-it."

Instalimet e mëparshme të zotit Villarreal përfshijnë një vendkalim nëntokësor në Galerinë Kombëtare të Arteve në Uashington dhe stacionin e metrosë së rrugës Bleecker në Manhattan.

Ky projekt i fundit, i cili përdor sekuenca dritash që zhvendosen për të prodhuar motive abstrakte pothuajse të panumërta, do të mund të shihet në pjesën perëndimore të urës për të paktën dy vitet e ardhshme.

Leo Villarreal ka studiuar për skulpturë në universitetin Yale dhe ka përfunduar një program pasuniversitar në fushën e telekomunikacioneve interaktive në Universitetin e Nju Jorkut. Ai thotë se, si shumë artistë, atij nuk i pëlqen të përshkruajë së tepërmi procesin e tij krijues, duke preferuar që publiku të krijojë përshtypjet e veta.

"Ne e kemi testuar dhe rregulluar impiantin për disa javë me rradhë, dhe njerëzit e kanë parë këtë proces. Por tashmë ata do të mund ta shohin atë të përfunduar për dy vitet e ardhshme. Vlerësojmë do të shihet nga rreth 50 milionë njerëz, prandaj mendoj se do të jetë vërtetë një vepër e rëndësishme arti publik."

Për të mbledhur fonde për mirëmbajtjen e llambave, është krijuar një program që u lejon njerëzve të sponsorizojnë, ose të emërojë një dritë kundrejt një pagese prej 50 dollarësh. Një familje bleu disa prej tyre për nder të një të afërmi, i cili kishte punuar si inxhinier në urë për 15 vjet.

Projekti prej 8 milionë dollarësh bën që, pas më shumë se 75 vjetësh nën hijen e famës së urës magjepsëse Golden Gate, Ura e Gjirit të San Frnaciskos të ketë një shans për të vezulluar.

XS
SM
MD
LG