Përgatitjet e rusëve për festën e Vitit të Ri janë mjegulluar nga recesioni ekonomik dhe monedha e paqëndrueshme. Megjithatë, njerëzit në kryeqytetin rus duket se janë në një gjendje shpirtërore festive.
Megjithë shqetësimet për ekonominë, banorët e Moskës dhe vizitorët po vërshojnë nëpër dyqane për blerjet e fundvitit.
Por ngrica fiskale ka filluar. Rënia e çmimit të naftës dhe sanksionet e Perëndimit kanë minuar rublën, duke ngritur çmimet për mallrat e importit dhe duke e shtyrë Rusinë drejt një recesioni.
Presidenti Vladimir Putin tha se tkurrja ekonomike do të zgjasë të shumtën dy vjet, por kjo është pak qetësuese për shumë rusë, si Soso:
"Përpiqem të mos mendoj për këtë. Është shumë keq, dhe do të shohim si do të shkojë, është si një ëndërr e keqe."
Më shumë rusë do të shijojnë aktivitete dimërore brenda vendit, meqë nuk mund ta përballojnë dot udhëtimin jashtë.
Disa kanë një pikëpamje pragmatike për biznesin në këtë sezon festash, si Galina që shet gështenja të pjekura:
"Mua më duket se ata që kanë para nuk do të kursejnë për gështenja. Ndoshta të moshuarit, ose pensionistët. Por ata që kanë, do të kenë gjithmonë para.”
Blerësit mund të ndryshojnë zakonet e tyre të shpenzimeve por prapë blejnë thotë Maria që shet dhurata:
"Për shkak të problemeve ekonomike, njerëzit po zgjedhin mallrat që janë më pak të shtrenjta dhe më praktike. Por mallrat tona shiten shumë pasi njerëzit i blejnë për dhurata pavarësisht problemeve. "
Ndërsa Rusia përgatitet për një vit të ri më të shtrënguar ekonomikisht, Babaviti jep disa këshilla të urta për festat:
"Unë nuk jam as njeri i zotit, as fallxhor. Jam thjesht një magjistar i Vitit të Ri. Viti i Ri varet nga vetë ju. Sido që ta doni atë të jetë, sido që ta festoni, cilatdo qofshin dëshirat tuaja natën e Vitit të Ri – ashtu do të jetë viti tjetër. Çdo gjë varet nga ju."
Megjithë magjinë e festave, zërat më pak optimistë thonë se dështimi i Kremlinit për të diversifikuar ekonominë dhe vazhdimi i veprimeve ushtarake në Ukrainë kërcënojnë ta zhysin vendin në krizë të thellë ekonomike.