Lidhje

Rusia i vë veton projektrezolutës për Srebrenicën


Rusia i vuri veton një projekt-rezolute të OKB-së që e dënon si akt gjenocidi masakrën e vitit 1995 në Srebrenicë gjatë luftës së Bosnjes.

Votimi në Këshillin e Sigurimit ishte 10 vota pro dhe 1 kundër. Katër anëtarë, Angola, Kina, Nigeria dhe Venezuela, abstenuan.

Ambasadori britanik Peter Wilson tha se vendi i tij është i indinjuar me veton e Rusisë.

"Veprimet e Rusisë njollosin kujtimin e të gjithë atyre që humbën jetën në gjenocidin në Srebrenicë," tha ambasadori Wilson. "Rusia do të duhet të justifikojë sjelljen e saj para familjeve të më shumë se 8,000 njerëzve të vrarë, masakra më e rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore."

Ambasadorja e SHBA në Kombet e Bashkuara, Samantha Power, e cila ishte gazetare 24-vjeçare në Bosnjë në kohën e masakrës së Srebrenicës, i tha Këshillit të Sigurimit se "në të gjithë brutalitetin e asaj lufte të tmerrshme, kjo masakër ishte një tmerr që bënte përjashtim, ishte gjenocid, një fakt tashmë i provuar në mënyrë të përsëritur nga gjykatat ndërkombëtare.''

"Vota e sotme kishte rëndësi,'' tha zonja Power. “Ajo kishte rëndësi jashtëzakonisht të madhe për familjet e viktimave të gjenocidit të Srebrenicës. Vetoja e Rusisë ua copëton zemrën atyre familjeve dhe kjo është një njollë tjetër në historinë e Këshillit.”

Organizata Amnesty International tha se vetoja e Rusisë është një fyerje për familjet e viktimave të masakrës dhe do të pengojë përpjekjet për pajtim mes të komuniteteve të Bosnje-Hercegovinës.

Dy gjykata ndërkombëtare e kanë quajtur gjenocid vrasjen nga serbët e Bosnjes të 8 mijë burrave dhe djemve muslimanë në enklavën e OKB-së të mbrojtur nga trupat holandeze.

Rusia, Serbia dhe serbët e Bosnjës e kanë quajtur përçarëse projekt-rezolutën e paraqitur në Këshillit të Sigurimit.

XS
SM
MD
LG