Rusia ngriti akuza për spiunazh ndaj ish-marinsit amerikan Paul Whelan, sipas një njoftimi të agjencisë së lajmeve “Interfax”, që nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.
Të hënën, zyrtarët rusë të Shërbimit Federal për Sigurinë (FSB) thanë se 48-vjeçari Whelan ishte arrestuar më 28 dhjetor "gjatë kryerjes së një akti spiunazhi", dhe se ndaj tij kishte nisur një hetim penal.
FSB-ja nuk dha detaje të mëtejshme, por agjensia shtetërore ruse e lajmeve TASS-i njoftoi se Paul Whelan-i rrezikon deri në 20 vjet burg, nëse dënohet.
Paul Whelan punon si drejtor për sigurinë globale në kompaninë “BorgWarner”, një furnizues amerikan i pjesëve të këmbimit për makinat.
Familja e tij mësoi për arrestimin vetëm pasi lajmi u njoftua nga mediat ruse, çka i nxiti ata të kontaktojnë përfaqësuesit e Kongresit dhe diplomatët amerikanë.
"Jemi thellësisht të shqetësuar për gjendjen dhe sigurinë e tij. Pafajësia e tij është e padiskutueshme dhe ne besojmë se të drejtat e tij do të respektohen", thanë përfaqësues të familjes.
Arrestimi i zoti Whelan përkon me disa skandale spiunazhi që kanë përkeqësuar tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit, përfshirë helmimin në Britani të ish-agjentit të dyfishtë Sergei Skripali dhe vajzës së tij.
Lajmi i ndalimit të tij erdhi më pak se 24 orë pasi presidenti rus Vladimir Putin i bëri një urim publik me rastin e Vitit të Ri, Presidentin amerikan Donald Trump, gjatë të cilit tha se Moska është për një dialog të vazhdueshëm me Uashingtonin për një varg çështjesh.
Në vitin 2016, “Izvestia”, organ mediatik i lidhur me Kremlin, njoftoi se 13 shtetas amerikanë ndodheshin në burgjet ruse. Që nga ajo kohë, Kremlini nuk ka publikuar asnjë detaj rreth amerikanëve që ndodhen aktualisht nën arrest në Rusi.
Facebook Forum