Lidhje

Liberalët rusë të çorientuar pas rizgjedhjes së Putinit


Liberalët rusë janë përfshirë në debate të nxehta me njëri-tjetrin pas zgjedhjeve presidenciale të së dielës. Ata fajësojnë për rezultatin që i dha një fitore të fortë Vladimir Putinit, jo vetëm manipulimin e votave por edhe njëri-tjetrin.

Ju mund të thoni sa të doni se përçarja është e keqe dhe demokratët duhet të bashkohen. Nëse doni që unë ta besoj këtë gënjeshtër, atëherë përgjigja ime është jo", thotë Alexei Navalni udhëheqësi i opozitës në një debat televiziv.

Personaliteti i mirënjohur i opozitës Alexei Navalny, ka refuzuar të bashkojë forcat me politikanen liberale Ksenia Sobçak për krijimin e një partie të re të opozitës. Ajo ishte një prej kandidatëve që garuan në zgjedhjet e së dielës dhe që mori më pak se dy për qind të votave. Navalny, i cili donte që liberalët të bojkotonin procesin e votimit, e akuzoi atë si të përdorur dhe paguar nga Kremlini.

Analisti Alexander Baunov i qendrës Carnegie të Moskës thotë se tashmë liberalët janë ngërthyer në mosmarrëveshje.

"Nëse ndiqni diskutimin në mediat sociale, kemi dy rryma të liberalëve që debatojnë dhe fajësojnë njëri-tjetrin. Njëra fajëson tjetrën për pjesmarrjen në zgjedhje për të votuar zonjën Sobçak ndërsa tjetra për bojkotimin e procesit".

Më pak se pesë për qind e votave të hedhura të dielën shkuan për kandidatët opozitarë liberalë. Pyetja e madhe që shtrohet tani është se çfarë strategjie duhet të ndjekin ata gjatë mandatit të ardhshëm gjashtëvjeçar të Putinit?

Edhe pas zgjedhjeve liberalët rusë mbeten të ndarë sikurse më parë. Disa mendojnë se ata duhet të bashkohen dhe të formojnë një parti të re duke punuar brenda kufijve të ngushtë politikë që u jep Vladimir Putini. Të tjerë thonë se gjithçka që mund të bëjnë është të presin që një krizë politike apo ekonomike të shkatërrojë rendin aktual. Por kjo është shpresë dhe jo strategji!

Pas zgjedhjeve gjashtë vjet më parë shpërthyen protesta kundër Vladimir Putinit. Liberalët menduan se ishte fillimi i një revolucioni. Por momenti kaloi.

Kur rezultati u shpall këtë herë, nuk pati protesta. Një arsye mund të jetë ndoshta mungesa e besimit tek përfaqësuesit e opozitës, të cilët edhe gjatë zgjedhjeve kaluan më shumë kohë duke kritikuar njëri-tjetrin se sa Putinin.

"Putini ka fituar në Rusi sepse ai është popullor. Dhe ka fituar popullaritet sepse televizioni është plotësisht nën kontrollin e tij dhe sikurse mediat e tjera ai është kthyer në një armë të propagandës", thotë ish ligjvënësi Gennady Gudkov, një kritik i vjetër i Putinit.

Kundërshtarët e presidentit Putin, nga aktivistët tek komedianët, janë përjashtuar nga rrjetet kryesore mediatike ruse. Aktiviteti i tyre është reduktuar në përdorimin e kanaleve televizive të pavarura me bazë internetin që kanë audienca të vogla.

Satiristi Victor Shenderovich nuk beson se mund të ketë ndryshime politike së shpejti.

"Po ju rrëfej një anekdotë të trishtë që flet për një optimist dhe pesimist. Pesimisti thotë: Nuk është dhe aq keq! Optimisti i përgjigjet: Çfarë thua?! Më keq do të bëhet!”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG