Lidhje

Rusët në referendumin që mundëson zgjatjen e pushtetit të Putinit


Rusët kanë filluar të votojnë në një referendum për reformën kushtetuese që mund t'i hapë rrugën zgjatjes së sundimit të Presidentit Vladimir Putin me 12 vjet.

Qendrat e votimit u hapën në 25 qershor në të gjitha 14 rajonet administrative të rajonit federal të Lindjes së Largët të Rusisë, thanë komisionet zgjedhore rajonale dhe organet administrative, sipas agjensisë ruse të lajmeve TASS. Është dita e parë e një periudhe votimi shtatë-ditore për këto ndryshime.

Mbajtja hapur e vendvotimeve për një javë ka për qëllim të ndihmojë në shmangien e turmave më 1 korrik, ditën e caktuar për votimin mbarëkombëtar, pasi vendi vazhdon të luftojë me pandeminë e koronavirusit.

Votimi ka ngritur shqetësime tek zyrtarët e shëndetësisë pasi numri i infeksioneve të reja të konfirmuara mbetet i lartë, në mbi 7'000 në ditë.

Votimi ishte shtyrë nga data e planifikuar fillimisht e 22 prillit për shkak të pandemisë. Votimi i parakohshëm është lejuar që nga 10 qershori për njerëzit që nuk kanë qasje në vendvotime.

Zoti Putin njoftoi në fillim të këtij muaji se votimi do të mbahej më 1 korrik për ndryshimet kushtetuese që, ndër të tjera, do ta lejonin atë të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2036.

Ella Pamfilova, kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, tha në të njëjtën ditë se votimi do të fillojë shtatë ditë para datës zyrtare, me qëllim që të shmangen turmat e mëdha - një masë paraprake për të parandaluar përhapjen e virusit.

Kremlini ka hedhur poshtë shqetësimet, duke thënë se Rusia ka qenë në gjendje të ngadalësojë përhapjen e koronavirusit dhe i ka siguruar njerëzit se do të merren të gjitha masat e nevojshme për sigurinë e votuesve.

Putini propozoi reformën gjithëpërfshirëse kushtetuese në fillim të këtij viti dhe këmbënguli për ta vendosur atë në një votim mbarëkombëtar edhe pse nuk kërkohej me ligj.

Miratimi përfundimtar i ndryshimeve do të vijë nëse më shumë se gjysma e votuesve të vendit i mbështesin në votimin mbarëkombëtar. Ndryshimet kushtetuese pritet të miratohen, që do të thotë që Putini do të jetë në gjendje të kandidojë edhe për dy terma gjashtë-vjeçarë, pasi termi i tanishëm të skadojë në 2024.

Putin mbajti një paradë ushtarake të Ditës së Fitores në Moskë në 24 qershor, duke përkujtuar 75 vjetorin e humbjes së Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore. Parada zhvillohet tradicionalisht më 9 maj, por edhe ajo u desh të shtyhej për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Rusia ka raportuar më shumë se 600'000 raste infeksioni me koronavirus, duke i dhënë asaj numrin e tretë më të lartë në botë, sipas një raporti nga Universiteti Johns Hopkins. Vdekjet janë në më shumë se 8,500, por numri i vërtetë besohet të jetë shumë më i lartë.

Gjatë paradës së Ditës së Fitores, Kremlini kufizoi hyrjen në Sheshin e Kuq, në zonën ku Putini u ul së bashku me drejtuesit e huaj dhe veteranët e Luftës së Dytë Botërore të forcave Sovjetike.

Veteranët ishin vendosur në karantinë përpara paradës. Po kështu edhe ushtarët që morën pjesë në sfilatë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG