Avokati i presidentit Donald Trump, Rudy Giuliani, tha të mërkurën se zoti Trump e rimbursoi avokatin e tij personal me 130 mijë dollarë që u përdorën për të zgjidhur çështjen me aktoren e filmave për të rritur Stormy Daniels.
Aktores iu dhanë paratë në prag të zgjedhjeve të vitit 2016 për të heshtur rreth marrëdhënies së saj të dyshuar me zotin Trump.
Komentet e zotit Giuliani në emisionin "Hannity" të kanalit Fox News ishin në kundërshtim të drejtpërdrejtë me deklaratat e mëparshme të zotit Trump, ku ai thoshte se nuk kishte dijeni për çështjen.
Rudy Giuliani, avokat i Presidentit Trump
"Këto ishin para të paguara nga avokati i tij, nga fondet e firmës së tij apo çfarëdo fonde, nuk ka rëndësi. Presidenti e rimbursoi këtë shumë për një periudhë prej disa muajsh.”
Por, një muaj më parë, Presidenti Trump tha se nuk kishte dijeni për pagesën ndaj zonjës Daniels si pjesë e një marrëveshjeje të arritur pak ditë para zgjedhjeve presidenciale, që ajo të mos fliste në publik rreth marrëdhënies që thoshte se kishte patur me të.
Gazetari: A keni dijeni për pagesën prej 130 mijë USD për Stormy Daniels?
Presidenti: Jo.
Gazetari: Atëherë pse e bëri pagesën Michael Cohen, nëse akuzat nuk ishin të vërteta?
Presidenti: Duhet të pyesni Michael Cohen. Ai është avokati im.
Por avokati i zotit Cohen thotë se klienti i tij ka në plan të ushtrojë të drejtën e tij të Amendamentit të Pestë kundër vetë-inkriminimit në padinë e ngritur kundër tij nga zonja Daniels.
Cohen vendosi të ushtrojë të drejtën kundër vetë-inkriminimit pas bastisjes që FBI-ja i bëri shtëpisë, zyrës dhe dhomës së tij të hotelit muajin e kaluar.
Me këtë bastisje, autoritetet kërkonin dokumente që lidheshin me zonjën Daniels dhe çështje të tjera.
Zonja Daniels, emri i vërtetë i së cilës është Stephanie Clifford, ka paditur zotin Cohen për shpifje, pasi ai kishte lënë të kuptohej se ajo gënjeu rreth marrëdhënies së dyshuar me zotin Trump.
Facebook Forum