Lidhje

Ministri i brendshëm i Rumanisë jep dorëheqje mes trazirash lidhur me shtrëngimet buxhetore


Ministri i brendshëm i Rumanisë jep dorëheqje mes trazirash lidhur me shtrëngimet buxhetore
Ministri i brendshëm i Rumanisë jep dorëheqje mes trazirash lidhur me shtrëngimet buxhetore

Ministri i brendshëm i Rumanisë ka dhënë dorëheqjen, pas protestës së policisë kundër shtrëngimeve buxhetore, më të ashprat që ka ndërmarrë qeveria ndër vite. Opozita tani po kërkon dorëheqjen e tërë qeverisë, e cila miratoi shkurtime të thella të pagave për t’i ndihmuar vendit të tejkalojë krizën ekonomike.

Ministri i brendshëm i Rumanisë, Vasile Blaga, paraqiti dorëheqjen pasi 6 mijë policë të zemruar nga shkurtimi i pagave me 25 përqind marshuan drejt pallatit presidencial.

Dëshmitarët thanë se policët goditën pallatin me vezë, duke bërtitur, “Dil jashtë, o qen i mjerë”.

Zoti Blaga u tha gazetarëve se i vinte keq për incidentin. Ai spjegon paraqiti dorëheqjen para kryeministrit Emil Boc dhe e quan veprimin e tij “të ndershëm”.

Ai shton se është i vetëdijshëm që po lë postin në një kohë kur Rumania synon t’i bashkëngjitet zonës së Bashkimit Evropian ku udhëtarëve nuk u nevojitet pasaporta, e njohur si zona e Shengenit. Por ai e bën të qartë se ministria ka nevojë për një njeri të ri në krye, pas protestës së policëve.

Zoti Blaga thotë se policët ndërmorën një veprim të jashtëligjshëm dhe se “harruan betimin e bërë”. Gjesti i tyre, thotë ai, nuk pasqyron të gjithë punëtorët e ministrisë dhe se gjykatat duhet të vendosin se si t’i dënojnë policët që protestuan.

Vasile Blaga pritet të zëvendësohet nga Traian Igas, një ligjvënës jo aq i njohur nga radhët e partisë në pushtet të liberalëve demokratë.

Edhe Presidenti rumun Traian Besescu ndihen i idinjuar nga protesta e policëve. Ai liroi nga detyra policët e angazhuar për mbrojtjen e tij, vendim i cili e bëri të vështirë për të që të arrinte në zyrë në kohë.

Televizioni rumun ka transmetuar pamje të Presidentit Basescu që ngiste vetë makinën për në punë, duke pirë cigare dhe duke folur në telefon nga makina e tij Dacia Logan, një prodhim jo i kushtueshëm rumun. I bllokuar në trafik si çdo udhëtar tjetër në kryeqytetin Bukuresht, zoti Basescu u tha gazetarëve se mund të vonohej për punë.

Por presidenti mund të ndeshet me më shumë pengesa në rrugë, ndërsa protesta të tjera janë planifikuar kundër masave të qeverisë për të kursyer, që përfshijnë shkurtimin e theksuar të pagave për punonjësit publikë dhe rritjen e taksave për të luftuar defiçitin buxhetor.

Qeveria e presidentit Basescu nuk ka qenë në gjendje të paguajë rrogat dhe pensionet pa një hua nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe huadhënës të tjerë. Por në këmbim për kredinë, FMN kërkon veprime të fuqishme për të reduktuar borxhin e Rumanisë.

Në vitin 2009, ekonomia rumune u tkurr me më shumë se shtatë përqind dhe qeveria ka nevojë për mbështetje nga FMN, Bashkimi Evropian dhe Banka Botërore, pjesërisht për të paguar pagat dhe pensionet.

Mes tensionesh në rritje, zoti Basescu ka zhvilluar bisedime emergjente me kreun e policisë së vendit dhe kreun e policisë kundër protestave, ndërkohë që opozita i ka bërë thirrje kryeministrit të japë dorëheqje.

Protestat kundër masave shtrenguese gjithashtu janë zhvilluar edhe në Francë, Britani, Greqi, Spanjë dhe vende të tjera që kanë probleme buxhetore. Në Slloveni, mijëra punonjës të sektorit publik protestuan të henën në një grevë që nuk i është caktuar përfundimi, kundër planeve për të ngrirë rrogat e tyre për dy vjet.

XS
SM
MD
LG