Lidhje

Rihapet për të vaksinuarit sheshi i famshëm i Nju Jorkut, Times Square


Gjatë festimeve në Times Square më 1 janar 2017
Gjatë festimeve në Times Square më 1 janar 2017

NJU JORK - Kryebashkiaku Bill de Blasio njoftoi të martën se turmat e njerëzve do të mbushin sërish sheshin Times Square, por ata që duan të ndjekin nga afër traditën e mirënjohur të zbritjes së sferës, natën e ndërrimit të viteve, duhet të vërtetojnë që janë vaksinuar ndaj COVID-19ës.

Bill de Blasio
Bill de Blasio

"Po njoftojmë me krenari se festimet e mrekullueshme në Times Square, ulja e sferës dhe gjithçka tjetër do të rikthehet plotësisht siç jemi mësuar ta shohim e ta duam", tha zoti de Blasio gjatë një seance informimi virtual. "Më në fund mund të mblidhemi sërish së bashku. Do të jetë e mrekullueshme".

Tom Harris, president i Aleancës për sheshin Times Square, tha se të gjithë spektatorëve nga mosha 5 vjeç e lart do t'u kërkohet të vërtetojnë se janë të vaksinuar. Njerëzit që nuk mund të vaksinohen për arsye shëndetësore do të duhet të paraqesin një test COVID-i me rezultat negativ, tha ai.

Festimet e Vitit të Ri janë ndoshta aktiviteti më i mirënjohur i qytetit të Nju Jorkut. Vitin e kaluar, gjatë kulmit të pandemisë ato u zhvilluan në distancë. Në shesh nuk pati turma të zhurmshme të mbushura me pjesëmarrës që qëndronin ngjitur me njëri-tjetrin. Përkundrazi, rrugët ishin përgjithësisht të boshatisura, pasi zyrtarët u kishin thënë njerëzve të qëndronin në shtëpi dhe ta shikonin sferën nëpërmjet televizorit. Personazhet e njohura të skenës, si Jennifer Lopez, u shfaqën pas barrierave të policisë dhe në prani të vetëm disa grupeve të vogla të përbëra nga punonjës të vijës së parë të frontit.

Rrugët përreth Times Square të boshatisura më 31 dhjetor 2020
Rrugët përreth Times Square të boshatisura më 31 dhjetor 2020

Me përparimin e procesit të vaksinimit, festimet publike në qytetin e Nju Jorkut janë shtuar gjatë vitit 2021. Fishekzjarret e kompanisë Macy më 4 korrik mirëpritën sërish turmat e mbledhura dhe disa parada janë rikthyer në rrugët e qytetit.

Parada e kompanisë Macy për Ditën e Falenderimeve gjithashtu do të rikthehet në trajtën që kishte përpara COVID-it, me balona gjigande që shtyhen nga vullnetarë në paradën e Manhatanit, e cila u kufizua përgjatë vetëm një blloku vitin e kaluar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG