Lidhje

Riad, të akuzuarit për çështjen Khashoggi dalin në gjyq


Arabia Saudite njoftoi se 11 personat e akuzuar për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi patën të enjten paraqitjen e parë gjyqësore.

Gazetari i Washington Post-it dhe kritiku i Princit të Kurorës Saudite Mohammed bin Salman u vra më 2 tetor në konsullatën e Riadit në Stamboll të Turqisë.

Agjencia zyrtare saudite e shtypit tha se prokurorët kërkuan "dënimet e duhura" për të akuzuarit, përfshirë dënimin me vdekje për pesë të pandehur.

Fillimisht në muajin nëntor prokurorët njoftuan se synonin të kërkonin dënimin me vdekje për ata "që janë akuzuar se kanë urdhëruar dhe kryer krimin".

Emrat e të pandehurve nuk janë bërë publike.

Zyra e prokurorit njoftoi se po vazhdon hetimet dhe ka kërkuar nga autoritetet turke që t’u japin provat që ata disponojnë. Por Arabia Saudite thotë se Turqia nuk i është përgjigjur kësaj kërkese.

Më herët autoritetet turke thanë se përgjegjësit për ngjarjen duhet të ndiqen penalisht në Turqi, si vendi ku është kryer vrasja. Ata akuzuan Arabinë Saudite se nuk bashkëpunon me hetimet që po kryen Turqia.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka thënë se urdhri për të vrarë gazetarin Jamal Khashoggi u dha nga nivelet më të larta të qeverisë saudite.

Zyrtarët sauditë fillimisht thanë se Jamal Khashoggi ishte larguar nga konsullata pa asnjë problem, por më vonë pranuan se ai ishte vrarë brenda saj. Sipas tyre, ngjarja ishte rezultat i një “operacioni të paprinciptë” dhe se nuk ishte urdhëruar nga Princi i Kurorës Mohammed bin Salman.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG