Lidhje

Rusia, projekt-rezolutë për situatën në Ukrainë


Rusia dje njoftoi propozimin e saj për një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për hapjen e korridoreve humanitare dhe vendosjen e një armëpushimi në Ukrainën juglindore. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në OKB, Margaret Besheer njofton se teksti i projekt-rezolutës u prit me skepticizëm nga disa anëtarë të Këshillit të Sigurimit.

Ambasadori i Rusisë në OKB Vitali Çurkin u tha gazetarëve se projekt-rezoluta kërkon ndërprerjen e menjëhershme të armiqësive, u bën thirrje të gjitha palëve që të angazhohen për vendosjen e një armëpushimi të qëndrueshëm, dhe për krijimin e korridoreve humanitare për të lejuar dërgimin e ndihmave, dhe për të larguar popullatën civile në zona të sigurta.

"Nëse luftimet vazhdojnë, armiqësitë atje do të shtohen edhe më tej dhe do të ketë më shumë viktima. Kjo do ta bënte dialogun politik në Ukrainë më të vështirë. Ne kemi kornizën politike për Ukrainën të bazuar në deklaratën e Gjenevës dhe propozimet e OSBE-së, por për funksionimin e tyre, dhuna duhet të ndalet".

Ai tha se rezoluta nuk synon "politizimin" e konfliktit, ajo ka thjesht synime humanitare.

Ambasadori i Ukrainës në OKB, Yuriy Sergeyev, e hodhi poshtë këtë veprim rus.

"Vetë fakti që rezoluta mbi Ukrainën është paraqitur nga Federata Ruse është cinik dhe i pamoralshëm. Një vend i cili kohët e fundit ka pushtuar dhe aneksuar një pjesë të territorit të Ukrainës, një vend i cili sponsorizon terrorizmin dhe trazirat në rajonet lindore të Ukrainës, tani ofron një plan për zgjidhjen e konfliktit?"

Ai tha se nëse Moska dëshiron përfundimin e dhunës në juglindje të Ukrainës, ajo duhet të ndalë dërgimin e luftëtarëve, armëve dhe parave për fraksionet pro-ruse atje.

Ambasadori i Francës në OKB tha pas shqyrtimit të tekstit të projekt-rezolutës ruse se në të mungonin referenca mbi çështje të rëndësishme, si integriteti territorial dhe sovraniteti i Ukrainës dhe e drejta e Ukrainës për të mbrojtur veten. Ai tha se disa anëtarë të tjerë të Këshillit të Sigurimit gjithashtu thanë se do të duhet një raport nga departamenti i OKB-së për çështjet humanitare mbi situatën humanitare në Ukrainë.
XS
SM
MD
LG