Organizata “Gazetarët pa kufij” vlerëson se dekada e ardhshme do të jetë vendimtare për të ardhmen e gazetarisë, me pandeminë e Covid-19-tës e cila vë në pah dhe përforcon shumë kriza që kërcënojnë të drejtën për informacione të raportuara lirshëm, të pavarura, të larmishme dhe të besueshme.
Këto paralajmërime u bënë në raportin e publikuar të martën mbi treguesit e lirisë së medies që vlerëson gjendjen e medieve në 180 vende të botës.
Raporti thekson se dhjetë vitet e ardhshme do të jenë thelbësore për lirinë e shtypit për shkak të krizave që prekin të ardhmen e gazetarisë: kriza gjeopolitike (për shkak të agresivitetit të regjimeve autoritare); kriza teknologjike (për shkak të mungesës së garancive demokratike); kriza demokratike (për shkak të polarizimit dhe politikave shtypëse); kriza e besimit (për shkak të dyshimit dhe madje edhe urrejtjes ndaj medieve); dhe kriza ekonomike (gazetari e varfër cilësore).
Shqipëria
Shqipëria radhitet në vendin e 84-të në raportin e sivjetmë, dy vende më poshtë nga një vit më parë.
Në raport thuhet në vitin 2019, qeveria shtoi përpjekjet për të kontrolluar medien me arsyetimin e luftimit të lajmeve të rreme. Në dhjetor, shumica qeverisëse votoi në parlament një paketë "anti-shpifje" që shtrëngon rregullimin e medieve në internet.
“Duke kufizuar lirinë e shprehjes, informacionit dhe shtypit si dhe duke qenë në kundërshtim me praktikat më të mira ndërkombëtare, ligjet rrezikojnë të rrisin censurën dhe t’i bëjnë gazetarët më të brishtë përballë trysnisë së qeverisë”, thuhet në raport, duke theksuar se “megjithëse president i vendit ka vënë veto ndaj tyre, ligjet janë përsëri në parlament”.
Nga mesi i marsit, ligjet duket se janë vënë në pritje pas kritikave nga shtatë organizata për lirinë e shtypit, përfshirë Gazetarët pa Kufij dhe vizitën e Presidentit të Parlamentit Evropian në Shqipëri.
Ligjet, thuhet në raport, do të përkeqësojnë më tej situatën e lirisë së shtypit në një vend ku qeveria rregullisht kufizon qasjen e gazetarëve në informacione zyrtare dhe kontrollon tregun televiziv përmes licencave të transmetimit.
Viti 2019, thuhet në raport, shënoi gjithashtu abuzimin e një situate të krizës për frenimin e lirisë së shtypit. Në kohën e tërmetit shkatërrues, dy gazetarë dhe një aktivist u arrestuan për përhapjen e "lajmeve të rreme" dhe "shkaktimit të panikut", ndërsa disa media online kritike për veprimet e qeverisë u mbyllën nga organet qeveritare.
Ndërkaq me shpërthimin e krizës së koronavirusit në mars të vitit 2020, kryeministri Edi Rama u bëri thirrje qytetarëve që të mbrohen, ndër të tjera, nga mediet. Sulmet fizike dhe rastet e shpifjeve të ngritura gjithnjë e më shumë nga zyrtarët kundër gazetarëve vazhdojnë të nxisin klimën e pasigurisë dhe frikësimit.
Kjo, thuhet në raport, në kombinim me gjuhën denigruese të politikanëve - i shndërron gazetarët ne shënjestra të mundshme sulmesh. Ndërkohë, autoritetet e vendit që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, nuk arrijnë të zgjidhin dhe sanksionojnë raste të ndryshme të sulmeve fizike dhe kërcënimeve serioze kundër gazetarëve, theksohet në raport.
Kosova
Kosova radhitet në vendin e 70-të, në treguesin e vitit 2020 për lirinë e shtypit në botë. Ajo qëndron pesë vende më lart sesa vitin e kaluar, duke lënë prapa Shqipërinë që radhitet në vendin e 84-të, Maqedoninë e Veriut në vendin 92-të, Serbinë në vendin e 93të dhe Malin e Zi që është në vendin 105.
Megjithatë, sipas të dhënave të këtij raporti media në Kosovë mbetet e ndarë në vija etnike. “Qasja në informacion shpesh është e kufizuar në një grup etnik ose politik, shumica e medieve raportojnë kryesisht për çështje që kanë të bëjnë me kombësinë e tyre”, thuhet në raport.
Por, disa nga shqetësimet e përbashkëta sipas raportit janë sulmet fizike dhe verbale ndaj gazetarëve, sulmet në internet ndaj medieve si dhe mungesa e transparencës së pronësisë së medieve.
“Shumë media në Kosovë nuk janë financiarisht të qëndrueshme, gjë që i bën të brishta ndaj ndikimit politik dhe shpesh çon në vetë-censurim. Shumë media të pakicave janë në prag të zhdukjes, duke mbijetuar kryesisht nga donacionet e huaja”, thuhet më tutje në raport.
Reporterët pa kufij tërheqin vëmendjen te fati i panjohur i gazetarëve, përfshirë ata që u zhdukën ose u rrëmbyen gjatë vitit 1999 në Kosovë.
Sipas raporti Norvegjia është në vendin e parë me shkallën e lirisë së medies e pasuar nga Finlanda dhe Danimarka.
E fundit në listë është Koreja e Veriut.
Facebook Forum