Lidhje

Balenat dhe rëndësia e tyre për oqeanet


Në kulmin e gjuetisë së balenave në shekullin e 19 dhe të 20, dhjetëra mijëra balena vriteshin për synime komerciale. Kur u vendos moratoriumi ndërkombëtar ndaj gjuetisë së balenave në 1986, disa popullata balenash ishin pakësuar 66-90 për qind. Me vendosjen e moratoriumit numri i balenave është rritur dhe ato po shërbejnë edhe për të përmirësuar ekosistemin e oqeaneve.

Sot një numër më i madh njerëzish kanë rastin të shohin gjatë shëtitjeve me anije gjitarët gjigandë të detit, thotë guida turistike Maureen Gilbert:

“Dy vjet më parë kishte një dyndje baleash blu. Edhe vjet vërejtëm një numër të madh. Sivjet duket se do të kemi një sezon të shkëlqyer për balenat”.

Balenat blu bëjnë pjesë në grupin e të ashtu-quajtura balena të mëdha, gjitarët më të mëdhenj në botë. Për shumë vite këto specie nuk konsideroheshin si shumë të rëndësishme për jetën në botë, thotë biologu Joe Roman. Ai kryeson projektin e mbrojtjes së specieve në Universitetin e Vermontit dhe është autor i një studimi të ri që tregon se balenat janë një specie me ndikim të madh pozitiv në funksionimin e oqeaneve. Ai foli përmes SKYPE-it:

“Balenat zhyten në thellësi për t’u ushqyer. Por jashtëqitja e tyre del në sipërfaqe. Ajo përmban sasi të larta nigrogjeni dhe elementësh të tjerë ushqyes që rrit pasurinë e zonës ku jetojnë balenat”.

Kur ngordhin balenat, trupi fundoset në tabanin e detit ku ushqen qëniet nënujore.

Numri i balenave të mëdha po shtohet dhe disa peshkatarë kanë shprehur ankesa se këto kafshë gjigande po varfërojnë rezervat e peshkut dhe si rezulat po ndikojnë negativisht në të ardhurat e peshkatarëve. Zoti Roman e hedh poshtë këtë shqetësim:

“Studimi që kemi bërë si dhe studime të tjera kanë filluar të tregojnë se nuk është një llogaritje aq e thjeshtë. Ajo që kemi vërejtur është se prania e balenave në një ekosistem funksional shoqërohet me sasi më të madhe peshku në zonë”.

Megjithë masat për mbrojtjen e balenave, ato nuk janë plotësisht të paprekshme nga aktiviteti i njeriut. Ato shpesh lëndohen nga anije transporti; ngecin në rrjetat e peshkut dhe pengohen në ekzistencën e tyre nga sinjalet sonare apo trafiku oqeanik, thotë Margaret Williams. Zonja Williams, e cila drejton programin e Arktikut pranë Fondit Botëror për Florën dhe Faunën, foli për Zërin e Amerikës përmes Skype-it:

“Po shtohet trafiku detar në Arktik; po hartohen plane të reja për shpime për naftë e gaz. Prandaj Fondi Botëror për Florën e Faunën po punon me qeveri e komunitete të ndryshme si dhe sektorin privat e organizata për mbrojtjen e gjallesave për të identifikuar zonat që kanë rëndësi për gjallimin, lëvizjen dhe ushqimin e balenave dhe t’i rekomandojmë këto zona për politika mbrojtëse”.

Zonja Williams thotë se balenat e meritojnë këtë mbrojtje. Siç tregojnë studimet, balenat janë shumë më të vlefshme se ç’mendohej më parë si për rezervat e peshkuat, ashtu edhe për vetë oqeanin.

XS
SM
MD
LG