Lidhje

Reeker: Hapat për afrimin e Kosovës dhe Serbisë me BE-në, në të mirë të rajonit


Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Evropën dhe Euroazinë Philip Reeker tha të premten në Uashington se Ballkani perëndimor vazhdon të jetë përparësi për Shtetet e Bashkuara. Zoti Reeker foli për zhvillimet e fundit në rajon, në një konferencë për shtyp në qendrën për shtypin e huaj.

Zoti Reeker tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin aspiratat euro-atlantike të rajonit dhe vlerësojnë si pozitive zhvillimet e fundit, përfshirë dhënien e statusit të kandidatit për Serbinë dhe hapjen e studimit të fizibiletit për marrëveshjen e stabilizim-asociimit për Kosovën.

“Ky është një hap shumë i rëndësishëm për orentimin evropian të Kosovës dhe përforcon perspektivën evropiane të vendit. Ne besojmë që nga këto hapa përfitojnë jo vetëm këto vende, Serbia dhe Kosova por i gjithë rajoni”.

Zoti Reeker tha se mes reformave që duhet të përmbushë Serbia është edhe vazhdimi i dialogut me Kosovën të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, përfshirë rrugët për të përmirësuar jetën e qytetarëve të dy vendeve dhe normalizimin e marrëdhënieve. Ai tha se ka ardhur koha për zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojë të mbështesin këto përpjekje, dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Përpjekjet tona kanë si synim të ndihmojnë për të çuar përpara reformat dhe për të gjetur zgjidhje paqësore që të kontribuojnë në stabilitetin, sigurinë dhe mirëqenien e gjithë njerëzve në rajon”.

Zoti Reeker tha se një nga marrëveshjet që duhet vënë në zbatim është ajo për menaxhimin e integruar të kufirit. Ai theksoi nevojën e lëvizjes së lirë për EULEX-in dhe KFOR-in në gjithë Kosovën. Zoti Reeker u shpreh kundër mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë, në Veriun e Kosovës.

“E kemi shprehur shumë qartë dhe OKB-ja e ka bërë gjithashtu të qartë se mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë jo nën juridiksionin e Kosovës do të nxirrte përfaqësues që nuk do të kishin autoritet”.

Në planin e përgjithshëm për veprim, tha ai parashikohet mbajtja e zgjedhjeve në kuadrin ligjor të Kosovës. Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për shtimin e njohjeve dhe i inkurajojnë në këtë drejtim udhëheqësit e huaj të vendeve që nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

“Vendet që nuk e njohin Kosovën duhet ta bëjnë një gjë të tillë sepse ne mendojmë se është e rëndësishme për stabilitetin rajonal dhe është shumë e qartë siç e bëri të qartë edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë që deklarata e pavarësisë ishte në përputhje me rezolutën 1244 dhe të drejtën ndërkombëtare”.

Zoti Reeker tha se Uashingtoni i nxit ta bëjnë një gjë të tillë edhe pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën dhe theksoi se Këshilli Evropian mori një hap të rëndësishëm me studimin e fizibilitetit dhe se e gjithë ideja e integrimit të Ballkanit Perëndimor është që këto vende të përfshihen në familjen evropiane.

Duke folur për incidentin e fundit në Maqedoni ku u goditën nxënëit shqiptarë, zoti Reeker e dënoi atë dhe shprehu keqardhjen për ta.

“Ata që sulmojnë fëmijë dhe nxënës janë njerëzit më të ulët. Këto veprime janë të pakuptimta. U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ruajnë qetësinë. Kjo situatë duhet të përballohet përmes ligjit dhe rendit. Duhet të zbulohet se çfarë ndodhi, të merren vesh faktet dhe të lejohet procesi ligjor të bëjë punën e tij”, tha zoti Reeker.

XS
SM
MD
LG