Lidhje

Japoni: Dyshohet për shkrirje të pjesshme të njërit prej reaktorëve


방사능 누출 검사를 받고있는 일본의 한 소년
방사능 누출 검사를 받고있는 일본의 한 소년

Zyrtarët japonezë kanë shprehur dyshimet se mund të ketë pasur një shkrirje të pjesshme të bërthamës bërthamore të njërit prej reaktorëve në Fukushima. Si rezultat një nivel tepër i lartë radioaktiviteti është diktuar në një pellg uji pranë objektit. Kompania Energjetike e Tokios, që operon objektin bërthamor, pohon se ka pasur probleme në metodat e përdorura për të përllogaritur nivelin e rrezatimit, gjë që ka shkaktuar panik dhe kaos tek personeli emergjent:

Kompania Elektroenergjetike e Tokios ka kërkuar ndjesë për përllogaritjen e gabuar të radioaktivitetit në pellgun e ujit radioaktiv të zbuluar në centralin bërthamor të Fukushimës. Dje u tha se radioaktiviteti në raktorin numër 2 ishte 10 milionë herë mbi nivelin normal, gjë që detyroi punonjësit të largohen menjëherë nga objekti. Po dje, disa orë më pas, kompania e tërhoqi deklaratën e parë, duke thënë se bëhej fjalë për radioaktivitet 100 mijë herë më të lartë se normalja.

Sipas deklarimeve të zyrtarëve, është diktuar rrezatim tepër i lartë edhe në ajër përreth kompleksit Daiçi, por shqetësimi kryesor për momentin mbetet uji me radioaktivitet të lartë që është zbuluar në një turbinë pranë reaktorit numër 2. Prania e lëndëve radioaktive është aq e lartë, sa që mund të krahasohet me radioaktivitetin e ujit në bërthamën e reaktorit. Burimi i kësaj sasie uji është ende i panjohur, por mendohet se mund të jetë rezultat i një rrjedhjeje nga bërthama e njërit prej reaktorëve të dëmtuar:

“Kemi marrë analizat e njësisë numër 2 që rezulton se ka gjasa që uji ftohës të ketë pasur kontakt me karburantin radioaktiv që ka rrjedhur nga bërthama e reaktorit. E themi këtë duke pasur parasysh nivelin e lartë të radioaktivitetit të regjistruar në këtë pellg uji”.

Ky zbulim i fundit ka qenë një grusht i rëndë ndaj përpjekjeve për të vënë nën kontroll situatën. Shqetësimi kryesor është se uji me radioaktivitet mund të derdhet në det, pasi bregdeti është fare pranë.

Ndërkohë disa banorë të zonës janë kthyer brenda perimetrit të rrezikshëm, për të kontrolluar shtëpitë dhe për të marrë sendet vetjake. Qeveria po përsërit thirrjet që banorët të qëndrojnë jashtë zonës së identifikuar me rrezik i lartë, si rezultat i kërcënimit për shëndetin.

Zona ka përjetuar ditët e fundit disa pas-goditje. Një tërmet me fuqi 6.5 ballë godititi prefekturën Miyagi sot në orët e para të ditës.

XS
SM
MD
LG