Lidhje

Qeveria e Kosovës kundërshton planet e Vetëvendosjes për bllokimin e kufirit me Serbinë


Qeveria e Kosovës kundërshton planet e Vetëvendosjes për bllokimin e kufirit me Serbinë
Qeveria e Kosovës kundërshton planet e Vetëvendosjes për bllokimin e kufirit me Serbinë

Qeveria e Kosovës kundërshtoi sot ashpër planet e lëvizjes Vetëvendosje për bllokimin e vendkalimeve kufitare me Serbinë. Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se të shtunën më 14 janar, do të bllokojë vendkalimet kufitare me qëllim që, siç thuhet, të zbatojë masat e ndërsjella politike, ekonomike e tregtare me Serbinë. Ky vendim ishte paralajmëruar para vitit të ri nga shefi i kësaj lëvizjeje Albin Kurti i pakënaqur me siç është thënë moszbatimin e mocionit të Parlamentit të Kosovës për masa të ndërsjella me Serbinë.

Lëvizja Vetëvendosje nga 14 janari do të punojë në zbatim të këtij vendimi nëpërmjet bllokimit të pikave kufitare me Serbinë, tek Dheu i bardhë dhe në Merdarë, prej nga me mijëra kamionë na hyjnë për çdo muaj dhe bëjnë që ne të kemi një deficit të tmerrshëm tregtar me Serbinë që nuk na e njeh pavarësinë, nuk na ka kërkuar falje, nuk na i kthen trupat e të pagjeturve, nuk na i dorëzon kriminelët serbë të luftës, vazhdon shtypjen dhe diskriminimin në Luginë të Preshevës dhe në kushtetutën e së cilës shkruan se Kosova është pjesë e Serbisë”, ka deklaruar zoti Kurti.

Drejtuesit e kësaj lëvizjeje thonë se kjo është protestë edhe kundër qeverisë së Kosovës për shkak të siç thuhet, shpërfilljes që ajo u bën interesave të vendit.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kundërshtoi sot fuqishëm këto plane duke i cilësuar ato si veprime që bien ndesh edhe me aspiratat integruese të Kosovës dhe nuk përkojnë me traditën e popullit të Kosovës. “Nuk përkon as me traditën e formulimit Vetëvendosje, por me formulimin vetëfundosje definitivisht dhe as kuq e zi, por po e përsëriti kryeministrin (Sali) Berisha, faqezi”, theksoi kryeministri Thaçi.

Ai nënvizoi se ardhmëria e Kosovës nuk është ajo e barrikadave. “Perspektiva e shtetit të Kosovës është në integrim e jo në barrikadë. Veprimi i dhunshëm kundër institucioneve legjitime të Kosovës ka qenë dhe është i papranueshëm për të gjitha institucionet, por edhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Thaçi.

Plani i lëvizjes vetëvendosje që është mbështetur nga disa organizata jopolitike, nuk është përkrahur nga partitë në opozitë të cilat kërkojnë zgjidhjen e çështjeve në rrugë institucionale. Ndërkaq, Lëvizja për Bashkim e cila ishte pjesë e koalicionit me Vetëvendosjen në zgjedhjet e fundit tërhoqi vërejtje sot se siç thuhet përplasjet deri në armiqësi të forcave politike që veprojnë në Kosovë, janë të dëmshme jo vetëm për qytetarët e Kosovës, por për mbarë kombin shqiptar, dukë shfaqur shqetësimin për mundësinë e shkallëzimit të situatës më 14 janar.

Drejtuesit e lëvizjes Vetëvendosje të cilët kanë kërkuar mbështetjen edhe në Tiranë, vlerësojnë se siç thuhet, bllokimi i Serbisë forcon kombin shqiptar.

XS
SM
MD
LG