Presidenti rus Vladimir Putin tha të enjten se ishte i gatshëm të zhvillonte bisedime me Presidentin Donald Trump nëse kjo ishte ajo çka homologu i tij amerikan dëshironte. Por sipas tij fushata për rizgjedhjen e zotit Trump mund t’i komplikonte marrëdhëniet SHBA-Rusi.
Presidenti Trump ka thënë se pret të takojë zotin Putin gjatë takimit të Grupit të 20-s që mbahet në Japoni këtë muaj edhe pse Moska ka thënë se pret të marrë ftesë zyrtare për këto bisedime.
Lidhjet SHBA-Rusi mbeten të tensionuara për shumë çështje, që nga Siria, Ukraina si dhe akuzat për ndërhyrjen e Rusisë në politikën amerikane, gjë të cilën Moska e mohon. Në një koment të bërë më herët gjatë këtij muaji Presidenti Putin tha se marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit sa vijnë e përkeqësohen.
Të enjten gjatë daljes së tij vjetore zoti Putin tha se "dialogu është një gjë e mirë dhe se gjithmonë ka nevojë për të”, si përgjigje ndaj pyetjes nëse do të takohej me Presidentin Trump.
“Sigurisht, nëse pala amerikane tregon interes, ne jemi të gatshëm për dialog", tha zoti Putin.
Facebook Forum