Publikimin e librit më të ri “Pushtimi” autori Ilir Ikonomi e bëri mbrëmë në hollin e Universitetit Europian të Tiranës, në mesin një numri të madh profesorësh, kolegësh, politikanësh dhe studentësh. Edhe pse një pasdite e vrrenjtur me shi, interesimi për këtë libër ishte i veçantë. Historia e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste në prag të Luftës së Dytë Botërore është shkruar shumë herë, por këtë radhë ajo tregohet nga shefi i misionit diplomatik amerikan në Tiranë i viteve 30, Hugh Gladney Grant.
Në ceremoni morën pjesë figura të njohura të medias, politikës dhe jetës akademike. Historianët vlerësuan përpjekjen e Ilir Ikonomit për të ndricuar ngjarjet më të rëndësishme në jetën e Shqipërisë. Studiues të tjerë vlerësuan faktin se për shumë dekada historia e Shqipërisë është shkruar me shtrembërime ideologjike, pa shfrytëzuar të gjitha burimet dokumentare, duke zmadhuar dhe shtrembëruar faktet dhe duke paragjykuar protagonistët e ngjarjeve.
Ndërsa vetë autori, kolegu i “Zërit të Amerikës”, Ilir Ikonomi, thotë se libri “Pushtimi” u shërben mjaft lexuesve të rinj të paindoktrinuar nga historiografia e mëparshme, sepse është shumë pranë të vërtetave, ngaqë është shkruar me gjakftohtësi dhe përkushtim prej atij vetë dhe prej ish-ministrit amerikan Grant.
Ky libër sjell për herë të parë tek lexuesit shqiptarë një dëshmi të gjatë, një raport të thelluar diplomatik dhe këndvështrimin amerikan mbi pushtimin e Shqipërisë nga fashistët. Krahas librit të ri “Pushtimi”, Ilir Ikonomi është autor edhe disa librave të tjerë mbi ngjarje themelore në historinë e Shqipërisë, si Pavarësia dhe Ismail Qemali, dhe Faik Konica, ish-ambasadori shqiptar në Uashington.