Lidhje

Kosovë, përgatitjet për zgjedhjet për pushtetin komunal


Lista e nismës qytetare Serbia, e paraqitur për të marrë pjesë në zgjedhjet për pushtetin komunal të tre nëntorit në Kosovë, do të ndryshojë emrin. Ajo pritet të quhet “Nisma qytetare serbe”. Vendimi pasoi kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të ndryshohet emri i listës e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar. Emri “Serbia” i kësaj nisme kishte nxitur reagime në Kosovë.

Ministri serb i angazhuar për Kosovën, Aleksandër Vulin u tha medieve serbe se kërkesa është pranuar.

Në pajtim me serbët në Kosovë, e pranojmë vendimin, jo me dëshirë, por e pranojmë sepse duam të marrim pjesë në zgjedhje, sepse nuk mund të lëmë Prishtinën të na pengojë të marrim tërë atë që duhet të marrim në Kosovë dhe nuk mund të lejojmë që dikush tjetër të vendosë në emrin tonë” citohet të ketë thënë ministri serb.

Deri tash Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka certifikuar 70 subjekte politike, ndërsa ende është në shqyrtim të 33 subjekteve të tjera në mesin e të cilave edhe disa nga nismat qytetare serbe. Vendimi për to pritet gjatë ditës së sotme.

Nga mbi njëqind subjekte, 18 janë nga radhët e komunitetit serb, përfshirë edhe ata të komunave veriore të Kosovës.

Pjesëmarrja e serbëve të komunave veriore në zgjedhjet komunale, është pjesë e marrëveshjes së 19 prillit e arritur ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Pas zgjedhjeve e do të krijohet bashkësia e komunave serbe që sipas marrëveshjes do të ketë një shkallë të gjerë autonomie.
XS
SM
MD
LG