Lidhje

Punonjësit e teknologjisë zhvendosen nga Lugina e Silikonit gjatë pandemisë


Disa punonjës të sektorit teknologjik, të cilët u zhvendosën në San Françisko për të punuar për kompanitë Google, Facebook, Twitter dhe kompani të tjera, tani po zhvendosen në pjesë të tjera të Shteteve të Bashkuara ku kostoja e jetesës është me e ulët, ndërsa vendi është goditur nga pandemia.

Për punonjësit e sektorit të teknologjisë, viti 2020 ka patur disa aspekte pozitive. Shumica mund të punojnë në distancë. Google ka thënë se punonjësit e saj do të punojnë nga distanca, të paktën deri në korrik të vitit 2021. Twitter, dhe së fundmi Microsoft, kanë njofuar se punonjësit e tyre mund të punojë nga distanca përgjithmonë.

Një kthesë interesante kjo për kompanitë, të famshme për joshjen e punonjësve duke u ofruar atyre dreka, pije dhe masazhe në zyrat e kompanive. Brian Douglas është punonjës i sektorit të teknologjisë.

“Njoh shumë njerëz që u zhvendosën vetëm për vendet e punës. Pra situata komplikohet nëse punon nga shtëpia dhe nuk ke kushtet e duhura, sidomos kur ndan apartamentin me dikë tjetër.”

Prindër i dy fëmijëve, Douglas jeton në Oakland të Kalifornisë. Tani ai po mendon të zhvendoset pasi kompania e tij lejon punën nga distanca. Ai thotë se çmimet e larta të shtëpive janë vendimtare për të. Tregu konkurrent në Oakland nuk i ka dhënë atij mundësi të blejë një shtëpi në atë qytet.

Russell Hancock drejton “Joint Venture Silicon Valley”, një organizatë që vëzhgon ekonominë dhe cilësinë e jetës së rajonit.

“Lugina e Silikonit ka një koleksion të shumëllojshëm talentesh, ndoshta më i madhi në botë. Këta talentë vijnë nga mbarë bota. Tani ata po largohen.”

Kyle Dobitz dhe Mara Van Ellis, që kanë një fëmijë 2 vjeç, po largohen nga apartamenti i tyre modest, nga ku kanë punuar në distancë që nga muaji mars. Dobitz, i cili punon për Google, po zhvendoset tek zyrat e kompanisë në Mynih të Gjermanisë, ku kostoja e jetesës është më e përballueshme. Në Gjermani, parqet dhe muzeumet janë më të hapura se në Shtetet e Bashkuara.

Ata thonë se nëse çmimet e shtëpive nuk bien ndjeshëm, ata nuk do të kthehen në Zonën e Gjirit, edhe pse planifikojnë të jetojnë në Evropë për disa vite. Kyle Dobtz është inxhinier programesh kompjuterike për kompaninë Google dhe Mara Van Ells është gazetare e pavarur.

“Duam të jemi të stabilizuar kur fëmija ynë të fillojë kopshtin dhe shkollën fillore. Për tre vjet po shkojmë të vlerësojmë nëse duam të jetojmë atje për një periudhë më të gjatë. Nuk mund të justifikohet çmimi prej 1,5 apo 2 milion dollarë për një apartament me dy dhoma gjumi.”

Në Shtetet e Bashkuara, punonjësit e teknoligjisë po lëvizin në shtete si Oregoni, Uashingtoni, Kolorado dhe Teksas, ku janë përhapur kompanitë teknologjike.

Marie Bailey nga Kalifornia, e cila u vendos në Teksas në vitin 2017 pasi burri i saj gjeti punë atje, u bë agjente imobiliare për të ndihmuar të tjerët të zhvendosen në Teksas. Ajo krijoi në Facebook faqen “Move to Texas from California” (zhvendosu në Teksas nga Kalifornia), dhe ka mbi 200 mijë anëtarë.

“Jeta në Teksas është shumë më e qetë dhe më e përballueshme. Kur jeton në një zonë më të përballueshme ekonomikisht të hiqet një barrë e rëndë stresi. Pjesa dërrmuese e biznesit tim janë nga Kalifornia.”

Por çdo të thotë gjithë ky migrim për Luginën e Silikonit?

“A do të thotë kjo që Lugina e Silokonit ka marrë fund? Është fenomen i sipërmarrjes, novacionit me një fokus të veçantë tek teknologjia dhe ndryshimi. Mund të jetë që Lugina e Silikonit bëhet thejshtë një markë për të gjitha këto gjëra,” thotë Russell Hancock me organizatën “Joint Venture Silicon Valley”.

Kjo ka kuptim për Brian Douglas, i cili thotë se teknikët krijuan mjetet që mundësojnë punën nga distanca dhe se takimi personal nuk është i nevojshëm për shumë punë.

“Teknologjia është sinonim i punës nga distanca, pasi të gjitha mjetet që e mundësuan këtë erdhën nga teknologjia. Nuk ka arsye ta takosh ekipin e punës në zyrë që të realizohet detyra.”

Ndërsa ekziston dëshira që gjërat të kthehen në normalitet pas pandemisë, duket se normaliteti mund të jetë duke ndryshuar në Luginën e Silikonit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG