Dhjetëra mijëra serbë janë mbledhur në kryeqytetin Beograd për të protestuar kundër qeverisë dhe bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme.
50 mijë protestuesit e tubuar sot bërtitën “hajdutë” dhe parulla të tjera kundër presidentit Boris Tadiç dhe anëtarëve të administratës së tij. Udhëheqësi i opozitës, Tomisllav Nikolliç, i tha turmës se ai kishte filluar një grevë urie deri sa qeveria të pajtohej për shpalljen e zgjedhjeve.
Opozita ndaj qeverisë është rritur ndërsa ekonomia e vendit shënon rënie. Ka pasur një numër grevash me thirrje për paga më të larta, ndërsa në muajin shkurt 70 mijë njerëz morën pjesë në një protestë antiqeveritare.
Zgjedhjet nuk parashihen të mbahen deri vitin e ardhshëm. Ndërkaq, qeveria thotë se nuk do të shpallë zgjedhje të parakohshme, sepse kjo mund të ngadalësojë procesin për pranimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.