Lidhje

Protesta kundër arrestimit të pjesëtarëve të ish UÇK-së


Protesta kundër arrestimit të pjesëtarëve të ish UÇK-së
Protesta kundër arrestimit të pjesëtarëve të ish UÇK-së

Në Prishtinë sot është protestuar me kërkesat për lirimin e pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të arrestuar nën dyshimet për krime lufte. Organizatorët e protestave thanë se arrestimet e pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë veprime që dëmtojnë qëndrueshmërinë në Kosovë dhe përgjegjësinë për këtë e ka Misioni i Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë.

Dy javë më parë EULEX-i arrestoi nëntë persona dhe lëshoi një urdhër arresti edhe për deputetin e Parlamentit të Kosovës, Fatmir Limaj, nën dyshimet për vrasje, torturë dhe cenim të shëndetit e integritetit fizik të shqiptarëve nga Kosova, civilëve serbë dhe të burgosurve të luftës në fshatin Kleçkë në Kosovën qendrore në vitin 1999". Këto arrestime nxitën reagime të zemëruara në Kosovë.

Në protestat e sotme, EULEX-i u kritikua për siç thuhet, dëmtimin e imazhit të ish kryengritësve shqiptarë që kishin luftuar për pavarësi nga Serbia. Kryetari i Organizatës së Veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Muharrem Xhemaili, akuzoi EULEX-in për siç tha, fushatë të orkestruar nga Serbia kundër ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Fushatë kjo që po intensifikohet në kohën e bisedimeve të Kosovës me Serbinë me qëllim që të forcohet pozicioni i Beogradit zyrtar në bisedime, duke diskredituar luftën e drejt të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe personalitetet më të njohura të kësaj lufte”, tha zoti Xhemaili.

Misioni i Bashkimit Evropian, ka përsëritur në disa raste se arrestimet nuk janë kundër asnjë organizate dhe se është gjykata ajo që vendos nëse një individ është apo nuk është fajtor.

Në reagimet e deritashme thuhet se EULEX-i duhet të tërheq urdhër arrestimin ndaj deputetit Fatmir Limaj, pavarësisht se ku i fundit është shprehur i gatshëm të heq dorë nga imuniteti i tij si deputet, i cili nuk pengon hetimet por pamundëson çfarëdo mase ligjore ndaj tij. Por, çështja e këtij imuniteti, sipas zyrtarëve të EULEX-it ende është duke u sqaruar.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG