Ndërkohë që Beogradi dhe Prishtina përgatiten të fillojnë sonte në Bruksel bisedime për të ashtuquajtura çështje praktike, në kryeqytetin e Kosovës nuk shihet ndonjë entusiazëm. Një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian tha se çështjet që do të diskutohen kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes, bashkëpunimin rajonal dhe sundimin e ligjit.
Këto janë bisedimet e para të drejtpërdrejta mes dy palëve që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës tre vjet më parë. Bisedimet do të fillojnë megjithëse qeveria e Kosovës nuk mori miratimin e parlamentit për këtë dialog.
Të dyja palët thonë se bisedimet do të përqendrohen në çështje të tilla si kontrolli i kufijve dhe dokumentet personale duke lënë mënjanë çështjet politike.
Kosova nuk pranon bisedime që do të vinin në pikëpyetje pavarësinë e shpallur prej saj në shkurt 2008, ndërsa Serbia thotë se po kërkon një zgjidhje kompromisi që i lejon asaj një farë kontrolli mbi zonat me shumicë serbe në Kosovë.
Bisedimet vijnë pas një trysnie të fortë nga ana e Bashkimit Evropian ku të dy vendet përpiqen të anëtarësohen.
Takimi dyditësh do të ndërmjetësohet nga diplomati i Bashkimit Evropian, Robert Kuper.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i drejtësisë i Kosovës, Hajredin Kuqi tha se bisedimet zhvillohen për çështje që diskutohen mes dy shtetesh të pavarur:
"Ne do të fillojmë të diskutojmë për çështje teknike që ekzistojnë mes dy shtetesh të pavarur, çka do t’i kontribuonte paqes dhe qendrueshmërisë në rajon. Ne do të mbështesim integrimin evropian të njëri-tjetrit”.
Por kryeredaktori i gazetës "Koha Ditore", Agron Bajrami, paralajmëroi se nuk është e qartë se përse do të ishin saktësisht këto bisedime:
"Sigurisht që në vështrim afatgjatë është gjithnjë mirë të diskutohet, por kur nuk e di se përse po diskuton, cili është qëllimi dhe cilat janë përfitimet konkrete për qytetarët, kur ekziston një mister rreth përmbajtjes së bisedimeve, gjithnjë ka dyshime nëse ato janë të përgatitura mirë për të patur sukses”.
Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit Tom Kantrimen, i cili merr pjesë në bisedime si i ftuar, paralajmëroi dje se si politikanët ashtu edhe media në Beograd e në Prishtinë po e zmadhojnë rëndësinë e këtij dialogu.
"Ky është një mjet i rëndësishëm që dy shtetet të bisedojnë me njëri-tjetrin për nisma praktike të cilat do të përmirësonin jetën e të gjithëve, është një dialog dhe jo një negociatë”, tha zoti Kantrimen.
Deri tani, Serbia, me mbështetjen e Rusisë ka arritur ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Disa në Kosovë janë skeptikë:
Ja si shprehet Xhemshit Morina:
"Mendoj se është mirë që do të ketë bisedime dhe një ditë ato do të fillonin por jo tani. Nuk mendoj se jemi të përgatitur, ka shumë çështje që duhen zgjidhur para se të shkohet në bisedime”.
Bisedimet pritet të errësohen nga hetimet rreth akuzave për aktivitet kriminal të ngritura nga europarlamentari Dik Marti ndaj ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Kryeministrit Hashim Thaçi.