Lidhje

Prishtinë: Protesta kundër shefit të delegacionit të Serbisë për bisedime me Kosovën


Prishtinë: Protesta kundër shefit të delegacionit të Serbisë për bisedime me Kosovën
Prishtinë: Protesta kundër shefit të delegacionit të Serbisë për bisedime me Kosovën

Zyrtarë të policisë së Kosovës kanë bërë të ditur se janë lënduar 21 persona në protestën e sotme, në mesin e të cilëve 15 pjesëtarë të policisë dhe 6 protestues, ndërsa janë arrestuar 2 persona të tjerë.

Policia përdori gazin lotsjellës dhe shkopinjtë e gomës, për të shpërndarë grupet e protestuesve që po kundërshtonin vizitën në Prishtinë të shefit të delegacionit të Serbisë për bisedime me Kosovën, Borko Stefanovic.

Pjesëtarët e lëvizjes Vetëvendosje, që në orët e paradites filluan të bllokojnë hyrjet në ndërtesën e qeverisë së Kosovës, për të penguar këtë vizitë, që ata e cilësojnë si të panevojshme dhe të dëmshme për Kosovën.

Në orët e pasdites situata shkallëzoi kur protestuesit hodhën gurë dhe ngjyrë mbi makinat e qeverisë së Kosovës dhe atyre që po përcillnin zyrtarin serb.

Zyrtari serb u takua ndërkaq më dyer të mbyllura me zëvendëskryeministrin e Kosovës Hajredin Kuqi, dhe shefen e delegacionit të Kosovës Edita Tahiri. Në një njoftim të zyrës së zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, thuhet se “në këtë takim, u bisedua për tema të cilat rrjedhin nga takimet e delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë që po zhvillohen në Bruksel, ku të dy palët shprehen vullnetin dhe gatishmërinë, për të vazhduar takimet e karakterit teknik dhe për të kërkuar zgjidhje që i preokupojnë qytetarët e të dyja palëve, në interes të bashkëpunimit rajonal dhe të integrimeve evropiane. Zëvendëskryeministri Kuçi, shprehu vullnetin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të kontribuar në mbarëvajtjen e këtij procesi, për të krijuar klimë pozitive, që palët të gjejnë interesin reciprok. Nga ana e tij, kryenegociatori i Serbisë, Stefanovic, e falënderoi zëvendëskryeministrin e Republikës së Kosovës, për pritjen gjatë vizitës së tij dhe premtoi që do të kontribuojë pozitivisht në dinamiken e bisedave të karakterit teknik”, thuhet në njoftim.

Vizita e shefit të delegacionit serb, kishte nxitur mospajtime edhe të një pjese të drejtuesve politike të vendit dhe opozitës, e cila e ka cilësuar të papranueshme një vizitë të tillë, ndërsa ka kundërshtuar vlerësimet e zyrtarëve të lartë të Kosovës dhe Beogradit, se ajo mund të ndihmojë në përmirësimin e marrëdhënieve të ngrira ndërmjet të dyja palëve.

Fillimi i javës që po vjen pritet të shënojë raundin e katërt të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Një pjesë e opozitës shfaq shqetësimin se vizita e sotme e përfaqësuesit serb në Kosovë, do të mund të çonte në përpjekje për zhvendosjen e bisedimeve nga ato të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, në takime të drejtpërdrejta që do të ishin të dëmshme për Kosovën.

Opozita thotë se bisedimet janë në favor të Serbisë dhe Kosova nuk do të ketë asnjë përfitim prej tyre në këtë periudhë kur Beogradi refuzon të njoh pavarësinë e Kosovës dhe kontrollon një pjesë të territorit të saj me strukturat paralele. Por, udhëheqësit e qeverisë besojnë se fundi i bisedimeve do të shënojë edhe një hap drejt forcimit të paqes në rajon dhe afrimin e Kosovës me strukturat euroatlantike.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG