Lidhje

Prishtina pret që SHBA dhe BE të pengojnë zgjedhjet serbe në Kosovë


Zyrtarë të qeverisë së Kosovës thanë se kanë marrë garanci nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara se do të kërkojnë nga Serbia që të mos organizojë zgjedhjet lokale edhe në Kosovë.

Çështja e këtyre zgjedhjeve dhe paralajmërimet që ato të mbahen edhe në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, kanë nxitur reagimin e diplomatëve perëndimorë.
Mediet serbe cituan ambasadoren amerikane në Beograd Mary Warlick, të ketë thënë se “Shtetet e Bashkuara mbështesin sovranitetin e Kosovës, ndërsa zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, do të nxirrnin përfaqësues të cilët, sipas ligjeve të Kosovës, nuk do të kishin kurrfarë pushteti”.
Ndërkaq, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, tha se mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe mund ta përkeqësojë situatën dhe jo të zgjidhë problemet. Ai tha se Bashkimi Evropian pret nga vendi që është kandidat për anëtarësim, të sillet në përputhje me statusin që ka dhe të zgjidhë problemet me bisedime dhe jo në mënyrë të njëanshme.

Të martën, kryetarja e Parlamentit të Serbisë, Sllavica Gjukiç Dejanoviç, ka deklaruar se zgjedhjet lokale do të mbahen edhe në Kosovë. Përfaqësuesit e serbëve në veriun e Kosovës, kërkojnë që zgjedhjet të mbahen me çdo kusht në atë zonë, për të siguruar funksionimin e institucioneve të shtetit serb.
Serbët në veri që kundërshtojnë shtrirjen e autoritetit të Prishtinës në atë zonë edhe sot kanë penguar lëvizjen e një autokolone të Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.
XS
SM
MD
LG