Lidhje

Prishtina mirëpret arrestimin e Ratko Mlladiçit


Prishtina mirëpret arrestimin e Ratko Mlladiçit
Prishtina mirëpret arrestimin e Ratko Mlladiçit

Arrestimi i ish komandantit të serbëve të Bosnjës Ratko Mladiç, është përshëndetur edhe në Prishtinë, ku udhëheqës politikë thanë se ky ishte një veprim i drejtë ndonëse i vonuar i drejtësisë.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në një komunikatë për opinion thekson se “arrestimi i kriminelit Ratko Mladiç është një lajm i pritur gjatë nga drejtësia ndërkombëtare dhe sidomos nga familjarët e viktimave dhe të gjithë qytetarët që pësuan nga veprimet e tij. Ky akt dëshmon se krimi nuk vjetrohet dhe se kriminelët asnjëherë nuk mund t’i ikin dorës së drejtësisë”.

Dërgimi i Ratko Mlladiçit në Hagë, thuhet ne reagim, “do të mundësojë që të shpjegohet ideologjia që nxiti luftërat në ish-Jugosllavi duke shkatërruar jetën dhe të mirat e shumë njerëzve. Ky rast do të shërbejë për nxitje që të gjithë kriminelët të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar, si rrugë e vetme në procesin e pajtimit dhe të heqjes dorë nga e kaluara”, thuhet ne reagimin e presidentes Jahjaga.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi, tha në një deklaratë për Zërin e Amerikës se ky është një veprim i vonuar por që mund të ndihmojë të ardhmen e vetë popullit serb dhe paqes e qëndrueshmërisë në rajon.

Megjithatë, është një sinjal që Serbia do të bashkëpunojë dhe po bashkëpunon në kuptimin e dënimit të krimeve të luftës. Unë dua të besoj se do ta dënojë edhe në kuptimin e perceptimit dhe pendimit edhe politik edhe njerëzor për krimet që u janë shkaktuar popujve të tjerë dhe mbi bazën e saj, politika serbe ta ketë një qasje të re të dënimit të krimeve që ka shkaktuar, të krizave dhe ta mbyllë kapitullin e konfrontimit e të dalë në një kapitull të ri të bashkëpunimit. Natyrisht, që neve dhe për cilindo njeri që ka qenë si viktimë e asaj politike, e atij gjenocidi, por besoj edhe cilindo qytetar të botës, zënia e një krimineli të tillë, është një lajm i mirë për drejtësinë, një satisfaksion për familjet e të vrarëve. Po unë dua të besoj se është një sinjal i mirë politik i lëvizjes pozitive, jo të një veprimi, por i një procesi të tërë, çfarë ka qenë, negativ i Serbisë ndaj të tjerëve, të jetë një proces pozitiv i Serbisë për rehabilitimin e marrëdhënieve në tërësi në Ballkan”, tha zëvendëskryeministri Kuqi.

Presidenti i Serbisë Boris Tadiç, duke njoftuar arrestimin e sotëm tha se është mbyllje e një kaptine të historisë e cila paraqet një hap më afër pajtimit të plotë në rajon. Ai nënvizoi se secili vend duhet të jetë përgjegjës për mbylljen e kaptinave të veta. Të gjitha krimet duhet të hetohen plotësisht dhe të gjithë kriminelët e luftës duhet të ballafaqohen me drejtësi, duke bërë thirrje siç tha për një hetim të pavarur, me mandat nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, të dyshimeve serioze për trafikim të organeve në Kosovë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuqi tha se kjo është një përpjekje për të krijuar një drejtpeshim të paqëndrueshëm të veprimeve në rajon.

E para, mendoj që ajo ka të bëjë me lëvizjet emocionale që kanë mundur të jenë të nacionalistëve në Serbi dhe ndoshta këtu ka qëllim që të bëhet një balancë. Dhe në anën tjetër, besoj se është, po ashtu një tendencë e balancimit të veprimeve që në asnjë rast dhe asnjëherë nuk ka ndodhur. Kosova ka qenë bashkëpunuese në çdo rast me faktorin ndërkombëtarë, ndoshta është shembulli më i mirë i një bashkëpunimi të tillë. Ne nuk i frikësohemi të vërtetës sonë, as përballë të tjerëve, as të vërtetës sonë brenda nesh, por besoj që e vërteta jonë është krejt ndryshe, është e vërtetë e pastër, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, ndërsa e vërteta e Serbisë, është mirë të fillojnë të ballafaqohen me të”, tha zëvendëskryeministri Kuqi.

XS
SM
MD
LG