Lidhje

Prishtina, Beogradi: marrëveshje për përfaqësimin e Kosovës


Prishtina, Beogradi: marrëveshje për përfaqësimin e Kosovës
Prishtina, Beogradi: marrëveshje për përfaqësimin e Kosovës

Delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë kanë arritur marrëveshjen për përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale. Zyra e ndërmjetësuesit të bisedimeve Robert Cooper bëri të ditur se sipas marrëveshjes Kosova do të përfaqësohet me një shënim në të cilin thuhet se "Ky emër nuk paragjykon statusin dhe është në pajtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi deklaratën e pavarësisë së Kosovës”.

Në njoftim thuhet se “të dyja palët kanë konfirmuar përkushtimin e tyre ndaj vlerave themelore të Bashkimit Evropian për përfaqësim dhe bashkëpunim rajonal. Marrëveshja do t’i mundësojë Kosovës që të përfaqësohet dhe të nënshkruajë marrëveshje ne emrin e saj dhe të flasë për vetveten në të gjitha takimet rajonale. Deri tash marrëveshjet janë nënshkruar nga UNMIK-u në emër të Kosovës.

Palët kanë përmbyllur edhe protokollin teknik për zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të kufirit që ishte arritur më 2 dhjetor të vitit 2011.

Marrëveshja është përshëndetur menjëherë nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton dhe Comisionari Stefan Fule, të cilët nëpërmjet një komunikate, thanë se kjo është një hap i madh përpara dhe me shumë rëndësi jo vetëm për Serbinë e Kosovën por edhe për qëndrueshmërinë në rajon dhe në Bashkimin Evropian.

Zonja Ashton citohet të ketë thënë se veprimet e fundit janë hapa të mëtejmë në rrugën evropiane të të dyja palëve. Sa i përket Serbisë, marrëveshjet janë me rëndësi në prag të shqyrtimit të mundësisë që asaj t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian javën e ardhshme.

Ndërsa, sa i përket Kosovës, kjo është me rëndësi meqë i mundëson asaj përfaqësimin e plotë dhe të drejtë në takimet rajonale dhe i mundëson përparim të mëtejmë në marrëdhëniet kontraktuale me Bashkimin Evropian. Komisioni Evropian propozon fillimin e studimit të fizibilitetit për marrëveshjen e stabilizim asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, thuhet në deklaratën e zonjës Ashton.

Komisionari për zgjerim Stefan Füle, ka nënvizuar se marrëveshja dëshmon përkushtimin e të dyja palëve për të ardhmen e tyre evropiane.

Marrëveshja e sotme pasoi gati tri ditë bisedime në Bruksel, gjatë të cilave, delegacioni i Prishtinës ngulte këmbë që në shënimin pranë emrit të Kosovës të vihej përveç Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, të vihej edhe deklarata e pavarësisë së Kosovës dhe opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Beogradi ndërkaq ngulte këmbë që deklarata e pavarësisë të mos përfshihej në shënim.

Pajtimi i Prishtinës me mënyrën që paraqitjes së Kosovës në forumet rajonale është përcjellë me reagime të shumta të opozitës e cila këtë e sheh si kompromis në dëm të shtetësisë së Kosovës. Ndërsa qeveria e Kosovës dhe diplomatët perëndimore thanë se ky pajtim ishte zgjidhja më e mirë e mundshme e cila i siguron Kosovës përfaqësim të barabartë dhe përshpejtim të rrugës evropiane.

XS
SM
MD
LG