Prej më shumë se një muaji, qytetarë të Republikës së Gjeorgjisë mblidhen në rrugë për të protestuar kundër asaj që shumë e quajnë nënshtrim të qeverisë së tyre ndaj Rusisë, trupat e së cilës pushtuan 20 për qind të territorit gjeorgjian 11 vite më parë. Zemërimi i publikut shpërtheu pas ftesës që konservatorët në qeverinë e Gjeorgjisë i bënë deputetit komunist të parlamentit rus, Andrei Gavrilov, që të mbante një fjalim në parlamentin gjeorgjian. Policia i shtypi me dhunë demonstratat e para, ndërsa Moska ka vënë sanksione ndaj Gjeorgjisë, me arsyetimin se protestat kanë si qëllim provokimin e Rusisë.
Për më shumë se një muaj, gjeorgjianët protestojnë kundër ftesës ndaj një ligjvënësi komunist rus për të folur në Kuvendin e Gjeorgjisë. Protestat e para u shtypën nga policia.
“Qëllimi kryesor i protestës ishte dorëheqja e drejtuesit të parlamentit, por qeveria përdori forcë të tepruar ndaj protestuesve. Pastaj kërkuam dorëheqjen e atyre që penguan protestën, në rend të parë Ministrit të Punëve të Brendshme”, tha protestuesi Tako Salakvelidze.
Portestat shkaktuan një krizë të re midis Tbilisit dhe Moskës.
Kremlini ndaloi fluturimet direkte mes dy vendeve dhe u bëri thirrje qytetarëve të vet të kthehen në Rusi për arsye sigurie.
Por, analistët thonë se kjo lëvizje ndëshkon ekonominë e Gjeorgjisë, e cila varet nga turizmi rus.
“Sipas llogaritjeve të bankës kombëtare të Gjeorgjisë, vendi do të humbë 400 milionë dollarë amerikan në vit”, tha ish ministri i ekonomisë në Gjeorgji, Vladimir Papava.
Në prapavijë të tensioneve të fundit qëndron pushtimi i tokave gjeorgjiane, Abkazia dhe Osetia Jugore, nga ushtria ruse në vitin 2008. Pavarësinë e tyre e njohin vetëm Rusia, Nikaragua, Venezuela dhe Nauru.
“Ne nuk presim që me këtë protestë të kthejmë territoret, por kërkojmë veprim nga qeveria”, tha protestuesi Tako Savakshisvili.
“Do të flasim për atë që është e rëndësishme për gjeorgjianët dhe rusët nuk e kuptojnë faktin që s’mund të mohohet se 20 për qind e vendit është e pushtuar nga Rusia”, thotë protestuesi tjetër, Nikolay Lavshits.
Vëzhguesit thonë se Rusia po bënë presion që të mbajë Gjeorgjinë larg NATO-s.
“Kur flasim për vende të pavarura qoftë Gjeorgjia, Spanja, Bangladeshi, duhet të respektohen vendimet e tyre sovrane. Të tjerët nuk mund të të diktojnë nëse mund t’i bashkohesh NATO-s apo Bashkimit Evropian. Mesazhi im për miqtë rusë është se ne duam të jetojmë me ju, por jo në Rusi”, tha ish ambasadori gjeorgjian në Shtetet e Bashkuara, Tedo Japaridze.
Rënien e ekonomisë gjeorgjiane pas sanksioneve ruse, shumë analistë e shohin si shenjë që këtë betejë ky vend i vogël nuk ka gjasa ta fitojë.
Facebook Forum