Lidhje

Presidentja Jahjaga kërkon nga komuniteti ndërkombëtar ndalimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, u bëri thirrje sot Bashkimit Evropian dhe vendeve kryesore euro-perëndimore që të veprojnë për mos lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë. Në letrën drejtuar presidentit të Këshillit të Evropës, Herman von Rompuy, shefes së politikës së jashtme Catherine Ashton, dhe përfaqësuesve të pesë vendeve, Shteteve të Bashkuara, Britanisë së madhe Gjermanisë, Francës dhe Italisë, thuhet mes tjerash se me paralajmërimin për mbajtjen e zgjedhjeve edhe në Kosovë, Serbia po nxit destabilizimin e Kosovës

Shpreh shqetësimin tim të thellë me paralajmërimet e Republikës së Serbisë për të mbajtur zgjedhjet e saj lokale edhe në territorin e Republikës së Kosovës, me të cilat shkel sovranitetin e shtetit tim, sfidon fuqishëm integritetin territorial dhe provokon destabilizimin e Kosovës. Republika e Kosovës nuk mund të lejojë asnjë shtet fqinj, ose përfaqësuesit e tij që drejtojnë strukturat paralele brenda territorit tonë, që të organizojnë çfarëdo zgjedhjesh kudo qoftë në Republikën e Kosovës”, theksoi presidentja Jahjaga.

Ne letër thuhet se çdo përpjekje e Serbisë për të organizuar zgjedhje në territorin e Kosovës shkel normat dhe ligjet ndërkombëtare si dhe parimet themelore Evropiane dhe si të tilla, ato përpjekje janë të papranueshme dhe të paligjshme. Mbajtja e zgjedhjeve të tilla, sipas presidentes Jahjaga shënon një kthim prapa të përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare dhe qytetarëve të Kosovës, për të rikthyer normalitetin në rajon.

Është kthim prapa i progresit të përbashkët të arritur me aq shumë mund në tejkalimin e dallimeve të së kaluarës, progres i cili ka hapur rrugën drejt integrimeve në BE për vendet tona respektive dhe qytetarët e rajonit. Është kthim në retorikën dhe veprimet e së kaluarës që nuk i përkasin një vendi i cili kërkon anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha presidentja Jahjaga.

Në fillim të kësaj jave, Serbia shpalli zgjedhjet parlamentare e lokale për datën gjashtë maj, me synimin që t’i organizojë ato edhe në Kosovë. Vendimi nxiti reagime të shumta, ndërsa parlamenti i Kosovës miratoi një Rezolutë të posaçme në kundërshtim të tyre. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, i cili bashkë me shefat e partive politike takoi diplomatët perëndimorë për të diskutuar këtë çështje, tha se veprimet e Serbisë paraqesin agresion dhe cenim të sovranitetit e rendit kushtetues të Kosovës, ndërsa paralajmëroi se qeveria e tij do të shfrytëzojë të mjetet kushtetuese për parandalimin e zgjedhjeve serbe.

Kundër zgjedhjeve serbe janë shprehur edhe diplomatët ndërkombëtarë të cilët tërheqin vërejtjen se mbajtja e zgjedhjeve lokale të Serbisë në territorin e Kosovës, do të ishte në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Autoritetet serbe thanë se qeveria e Serbisë në bashkëpunim me UNMIK-un do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve edhe në Kosovë, meqë siç thuhet, Serbia është e detyruar të respektojë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Zyrtarë të UNMIK-ut nuk kanë komentuar këto qëndrime.

Që nga përfundimi i luftës, Serbia ka organizuar zgjedhjet e saj edhe në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë dhe ndonëse ato nuk janë mbështetur as nuk janë penguar nga autoritetet vendase e ndërkombëtare. Por, kësaj radhe thuhet se Serbia duhet të sillet në pajtim me statusin e saj si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Ajo mori këtë status në fillim të muajit mars pas një marrëveshjeje me Kosovën në të cilën janë përfshirë Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit dhe opinioni i Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë mbi deklaratën e pavarësisë së Kosovës, marrëveshje që është arritur në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Prishtina tërheq vërejtjen se veprimet e Serbisë rrezikojnë edhe bisedimet ndërmjet palëve.

XS
SM
MD
LG