Lidhje

Presidenti Topi u bën thirrje partive të kthehen tek dialogu dhe zgjedhjet vendore


Presidenti Topi u bën thirrje partive të kthehen tek dialogu dhe zgjedhjet vendore
Presidenti Topi u bën thirrje partive të kthehen tek dialogu dhe zgjedhjet vendore

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi u bëri sot thirrje partive politike që në këto çaste të rënda e delikate për vendin, t’u rikthehen standarteve demokratike dhe frymës së konsensusit. Presidenti Topi theksoi në një deklaratë në mesditë se klasa politike duhet të gjejë e të përdorë të gjithë mekanizmat ligjorë e demokratikë në interes të Shqipërisë dhe shtetasve të saj për të dalë nga kjo situatë problematike, për të siguruar qetësinë dhe stabilitetin e duhur për vendin dhe shoqërinë shqiptare në realizim të projekteve dhe të ardhmes evropiane.


“Në këtë drejtim sugjeroj se pezullimi i përkohshëm i çfarëdolloj demonstrate apo tubimi publik do të kontribuonte ndjeshëm në uljen e tensionit si dhe mundësimit të hapësirave të duhura për institucionet e pavarura të drejtësisë që të zhvillojnë një hetim tërësor, transparent, të paanshëm dhe profesional. Nga ana tjetër, duhet që për stabilizimin e menjëhershëm të situatës, si mazhoranca ashtu edhe opozita të gjejnë vullnetin e duhur politik dhe individual e të rivendosin menjëherë dialogun politik institucional”, - tha zoti Topi.


Presidenti Topi e bëri deklaratën e tij, pas takimit me delegacionin e posaçëm të Bashkimit Evropian, mes të cilëve u diskutua situata e rëndë politike që pasuan ngjarjet e dhunshme të 21 janarit. Zoti Topi theksoi në deklaratë se është nevojë jetike që të rifitohet qetësia, të rigjehet maturia, vullneti i mirë si dhe gjuha e dialogut institucional nga të gjitha palët e politikës, sepse, sipas tij, vetëm kjo do të sillte sërish normalizimin e jetës së qytetarëve dhe funksionimit normal të një shteti ligjor, modern e demokratik.


“Në këtë prizëm nuk duhet harruar se zgjedhjet vendore po afrohen gjithnjë e më shumë, dhe në prag të tyre është detyrim ligjor dhe moral i mbarë klasës dhe aktorëve politikë shqiptarë që të garantojnë me përgjegjësinë më të madhe një klimë të qetë, një zhvillim normal dhe administrim korrekt të zgjedhjeve dhe rezultateve që do të dalin prej tyre. Qytetarët shqiptarë duhen lejuar dhe mundësuar që të shprehin vullnetin e tyre të lirë vetëm nëpërmjet votës, së pacënuar e të pa manipuluar nga askush, në mënyrë që Shqipëria të ketë shansin për t’u bërë pjesë realisht edhe zyrtarisht një anëtare e denjë dhe e barabartë e familjes së madhe evropiane”, - tha zoti Topi.

Presidenti Topi theksoi se qytetarët shqiptarë aspirojnë integrimin në Bashkimin Europian, dhe nuk mund të qëndrojnë peng pafundësisht i retorikës gjithnjë e më të ashpër në publik të aktorëve dhe faktorëve politikë. Ai deklaroi se së bashku me BE-në dhe organizma të tjera ndërkombëtare dënoi dhunën e pajustifikuar në 21 janar, duke theksuar se rendi kushtetues e publik, jeta e qytetarëve dhe e punonjësve në detyrë si dhe institucionet e shtetit janë të shenjta e të paprekshme.

Sipas tij, e ardhmja evropiane e Shqipërisë varet nga sjellja e përgjegjshme, atdhetare dhe vizionare e drejtuesve politikë të mbarë spektrit politik, dhe se nga dialogu konstruktiv, i maturuar dhe me tone të qeta e të civilizuara mes palëve është rruga e vetme e domosdoshme drejt zgjidhjes së mosmarrëveshjes politike dhe garanti i stabilitetit, i funksionimit normal të shtetit ligjor si dhe respekti i plotë për institucioneve në vend.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG