Lidhje

Presidenti Topi takohet me ambasadorët amerikan, britanik dhe europian


Presidenti Topi takohet me ambasadorët amerikan, britanik dhe europian
Presidenti Topi takohet me ambasadorët amerikan, britanik dhe europian

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, dhe ambasadorët e SHBA, BE, dhe britanisë së Madhe bënë thirrje dje në mbrëmje për rikthimin e dialogut politik në Shqipëri. Presidenti Topi dhe diplomatët i bënë këto komente pas takime që u zhvilluan në presidencë drejtuesin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Etore Sekui, me Ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar, Fiona Mekiluam dhe me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksander Arvizu. Sipas njoftimeve nga presidenca, zoti Topi, theksoi në këto takime rëndësinë që ka stabilizimi sa më i shpejtë i situatës së rëndë dhe rikthimin e rendit publik si dhe rivendosjen e menjëhershme të dialogut politik institucional.

Presidenti Topi po ndjek në vazhdimësi situatën e krijuar në vend pas ngjarjeve tragjike në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndaj u drejtoi edhe një herë partive politike dhe cdo qytetari mesazhin se ruajtja e institucioneve dhe e rendit kushtetues është jetike për fatet e demokracisë dhe jetën e çdo individi të shoqërisë sonë. Në njoftimet e presidencës thuhet se zoti Topi ndau me ambasadorët e vendeve mike dhe aleate shqetësimin e thellë për gjendjen e krijuar, e cila dëmton gjithashtu rëndë perspektivën evropiane dhe imazhin e Shqipërisë, duke theksuar se faktorët politikë duhet të gjejnë vullnetin politik për kapërcimin e kësaj situate. Edhe bashkëbiseduesit vlerësuan se është i domosdoshëm bashkëpunimi mes institucioneve të zbatimit të ligjit për zhvillimin e një hetimi sa më transparent, profesional e të paanshëm. Sipas tyre, rikthimi i dialogut, respekti për institucionet e shtetit, shprehja e maturisë dhe e ekuilibrit është e një rëndësie jetike për të sotmen dhe të ardhmen euroatlantike të Shqipërisë.

Ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, u bëri thirrje udhëheqësve politikë që të rifllojnë dialogun politik dhe të ndalet dhuna. Ambasadori amerikan Aleksander Arvizu tha sot se ngjarjet e djeshme në Shqipëri shënojnë një kthim të madh prapa për vendin. Ambasadori Arvizu bëri thirrje që të shmangen protesta të ngjashme në të ardhmen. Dita e djeshme, tha ai, ishte një ditë e tmerrshme për Shqipërinë. “Nuk pati fitimtarë. Pati vetëm të humbur. Dhuna gjatë protestës duhej të ishte shmanagur, tha ambasadori amerikan. “E drejta për t’u tubuar lirisht vjen me përgjegjësinë për të bërë gjithçka për t’u siguruar që të jetë paqësore. Dhuna që pamë dje, nuk ishte e nevojshme. As nuk ishte e pashmangshme. Mund të ishte shmangur”, tha ai.

Korrupsioni tha amabasadori Arvizu, është problem për Shqipërinë, por dhuna në rrugët e kryeqytetit nuk do ta zgjidhë këtë problem”. Nevoja më e madhe e Shqipërisë në këto momente tha ambasadori amerikan, është udhëheqja politike. Udhëheqësit politikë të Shqipërisë, duhet të gjejnë rrugë për kompromis, shtoi ai. “Zgjidhja e mosmarrëveshjeve politike me anë të betejave në rrugë nuk është kompromis dhe nuk pasqyron aspiratat demokratike të Shqiptarëve”. Ambasadori amerikan u bëri thirrje autoriteteve të kryejnë një hetim të besueshëm. “Për ngjarjet e djeshme duhet të dalin përgjegjës, përfshi një hetim të besueshëm mbi mundësinë se ka pasur përdorim të tepërt të forces”, tha ai.

“Është koha për të hequr dorë nga provokime të mëtejshme. Është koha për t’i dhënë fund inkriminimeve dhe sharjeve të ndërsjella. Ka nevojë që të gjitha palët të tregojnë përmbajtje. Mbi të gjitha, është koha për t’i dhënë fund dhunës”.

Kryeministri Sali Berisha deklaroi në një konferencë shtypi se forcat e rendit nuk kishin ushtruar dhunë të tepruar, megjithatë hetimet e pavarura do të zbardhin të të vërtetën. Sipas tij, Partia Socialiste kishte organizuar që në nisje një protestë të dhunshme me banditë e trafikantë të armatosur që sulmuan forcat e rendit në krye të detyrës. Ai bëri përgjegjës drejtuesit e Partisë Socialiste për trazirat e dhunshme dhe goditjen antikushtetuese, pasi kishte marrë leje në policinë e kryeqytetit për tubimin. Nga ana tjetër ai deklaroi se ishte i vendosur për të mbrojtur rendin kuhstetues dhe institucionet demokratike të Shqipërisë, e cila është antare e NATO-s dhe kandidoi për t’u antarësuar në BE. Kryeministri Sali Berisha ftoi qytetarët në një manifesti paqësor të mërkurën kundër dhunës dhe për paqen.

Ndërkaq kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, akuzoi policinë e shtetit se po shkel ligjin, duke mos zbatuar urdhrat e arrestit që nxorri prokuroria për 6 punonjës të gardës kombëtare. Ai i bërri thirrje policisë së shtetit që të zbatojë urdhër-arrestet, dhe e cilësoi si antimiting tubimin që përmendi kryeministri Berisha për të mërkurën. Zoti Rama tha se protestuesit u provokuan nga policia gjatë demonstratës, dhe se opozita do të vazhdojë me demonstrime të tjera, sepse ato bazohen në vlera të demokracive perëndimore.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG