Lidhje

Presidenti Topi shpreh mbështetje të plotë për Kolegjin Zgjedhor


Presidenti Topi shpreh mbështetje të plotë për Kolegjin Zgjedhor
Presidenti Topi shpreh mbështetje të plotë për Kolegjin Zgjedhor

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, shprehu sot mbështetjen e tij të plotë për Kolegjin Zgjedhor, i cili po shqyrton ankesat e partive politike mbi zgjedhjet vendore të 8 majit. Zoti Topi tha se Kolegji Zgjedhor gëzon mbështetjen e plotë të Presidentit të Republikës për një proces të pavarur, transparent, me integritet të lartë moral e profesional, të drejtë dhe të lirë nga ndikimet dhe ndërhyrjet politike. Presidenti Topi theksoi sot gjatë një takimi me diplomatë perëndimorë se “procesi zgjedhor ende nuk ka mbaruar, prandaj palët politike të përfshira duhet të vetëpërmbahen nga shpallja e parakohshme e rezultatit”.

Zoti Topi i bëri këto komente kur diplomatët e njohur perëndimorë në Tiranë, ambasadori Aleksandër Arvizu i SHBA-së, Eugen Volfart i OSBE-së dhe Etore Sequi i BE-së, zhvilluan sot me të takimin e dytë brenda 3 ditësh për të diskutuar detaje të situatës paszgjedhore. Sipas njoftimit nga zyra e shtypit, në këtë takim pune u diskutua mbi “domosdoshmërinë e përmbylljes së procesit të zgjedhjeve të datës 8 maj sipas ligjeve në fuqi dhe pritjes me durim e qetësi të gjykimit përfundimtar të paanshëm, profesional, të drejtë, ligjor e të pavarur nga ana e institucioneve që lidhen me këtë proces”. Po sipas të njëjtit burim, tre ambasadorët perëndimorë u shprehën se procesi zgjedhor ende nuk ka përfunduar, dhe se respektimi i kornizës ligjore është një domosdoshmëri tashmë pas ankimit të rezultatit nga opozita në Kolegjin Zgjedhor.

Ndërsa presidenti Topi u shpreh se “është koha që të funksionojë ligji, shteti i së drejtës dhe të mbizotërojnë vetëm vlerat e kulluara dhe standardet e vërteta të drejtësisë, të dëgjohet vetëm zëri i institucioneve kompetente ligjore kushtetuese e demokratike. Kjo do t’i shërbente më së miri interesave madhore dhe qëndrueshmërisë afatgjatë të Shqipërisë dhe do të përmbushte aspiratat integruese të shumëpritura e të merituara të popullit shqiptar” - tha ai.

Vëmendja e opinionit shqiptar dhe diplomatëve perëndimorë tashmë është zhvendosur nga vonesa në nxjerrjen e rezultatit të zgjedhjeve tek ankimi në Kolegjin Zgjedhor ndaj vendimeve të KQZ. Partia Socialiste bëri të ditur se nuk do të njohë rezultatet e shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ku Lulzim Basha njihet si fitues zyrtarisht. Ndonëse kandidati Basha u shpreh se do të priste me durim edhe vendimin e Kolegjit Zgjedhor mbi vendimet e nxjerra nga KQZ, kandidati tjetër Edi Rama i tha shtypit se nuk do të njohë asnjë rezultat që nuk pasqyron fitoren e tij me 10 vota, të publikuar në rezultatet paraprake. Zoti Rama tha se PS do të vazhdojë tubimet e protestës dhe se KQZ shkeli ligjin me numërimin e votave të hedhura gabimisht në kuti me ngjyra të tjera.

Ndërkohë që dy kandidatët e partive kryesore nisën replikat në distancë mbi rezultatin, dy drejtues të lartë të Bashkimit Europian, përfaqësuesja e lartë, Katerine Ashton, dhe komisioneri për zgjerimin, Stefan Fyle, u bënë thirrje partive shqiptare ta zgjidhin me dialog çështjen e votave të hedhura gabimisht. Ata propozuan që Shqipëria mund të kërkojë këshillim të pavarur nga jashtë për vendimet e debatuara të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Zonja Ashton dhe zoti Fyle publikuan një deklaratë të përbashkët ku theksuan se “procesi zgjedhor nuk ka përfunduar ende” dhe se presin që “procedurat e apelimit të jenë të ndershme, transparente dhe të mbahen në mënyrë të pavarur dhe në përputhje të plotë me kuadrin ligjor ekzistues”.

KQZ shpalli fitues me 81 vota kandidatin e “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha, pasi numëroi disa qindra vota hedhura gabimisht në kuti me ngjyra të tjera. Ndërsa socialistët i kërkuan Kolegjit Zgjedhor të shpallë si të paligjshme këtë procedurë të paparashikuar dhe të njihte fitoren e kandidatit Edi Rama. Në pritje të vendimit të Kolegjit Zgjedhor, debatet vazhdojnë po aq të ashpra sa edhe shifrat e ngushta të kësaj gare që nga fillimi u vlerësua prej socialistët si zgjedhje politike, ndonëse për demokratët ishin zgjedhjet vendore të radhës.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG