Lidhje

Presidenti i Kosovës hedh idenë e krijimit të një tregu me Shqipërinë


Presidenti i Kosovës hedh idenë e krijimit të një tregu me Shqipërinë
Presidenti i Kosovës hedh idenë e krijimit të një tregu me Shqipërinë

Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, hodhi sot idenë e krijimit të një tregu të përbashkët me Shqipërinë. Deklaratat e tij zoti Pacolli i bëri në përfundim të takimit me presidentin Bamir Topi në Tiranë, ku ai nisi sot një vizitë zyrtare dy ditore. Zoti Pacolli këmbënguli në forcimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat mes dy vendeve duke saktësuar se marrëdhëniet mes dy shteteve duhet të ngrihen mbi modelin e Bashkimit Europian.

Vizita në Tiranë e Presidentit të Kosovës Behgjet Pacolli është e para që prej marrjes së detyrës së lartë. Ai u prit me të gjitha ceremonitë e rastit nga Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi, me të cilin pati edhe një takim kokë-më-kokë.

Në përfundim të bisedimeve Presidenti Pacolli i mëshoi faktit se Shqipëria dhe Kosova duhet të punojnë së bashku për të shtuar marrëdhëniet në të gjitha fushat, e veçanërisht në ato ekonomike.

“Nuk do të na e falë askush që edhe këto barriera që na kanë mbetë t’i heqim prej rendit të ditës. Në rendin e ditës duhte të jetë: të sigurojmë lëvizjen e lirë të njerëzve, të mallrave, të kapitalit, së pari mes nesh dhe ne këtë do ta bëjmë, duke formuar një treg të përbashkët. Tregu i përbashkët bëhet në se ne do të ndërmarrim që tani, që t’i heqim doganat, tarifat doganore, që ne të unifikojmë dokumentacionin përcjellës të këtyre mallrave, që ne të bëjmë liçenca të mallrave të unifikuara. Po pse jo, ligjvënësit tanë, si në Shqipëri, edhe në Kosovë, të fillojnë të bëjnë ligjet e njëjta”.

Zoti Pacolli bëri kujdes të saktësonte që ky bashkëpunim duhet të mbështetej në modelin e Bashkimit Evropian, ku dy vendet synojnë që të integrohen, ndërkohë, që ai propozoi që mes të dy vendeve të institucionalizohen takime periodike midis krerëve të shteteve, kryeministrave dhe parlamenteve, por edhe forumeve të biznesit.

Forcimin e bashkëpunimit ekonomik e përshëndeti edhe presidenti shqiptar Bamir Topi.

“Vendet tona kanë nevojë që të pozicionohen qartë me ide të qarta për perspektivën ekonomike, sepse kjo është e mundshme në rajonin tonë, pak të eksploruara nga kjo pikëpamje, përtej bashkëpunimit ekonomik dhe shfrytëzimit të resurseve të dy vendeve tona. Patjetër që lindin probleme për përsosjen e standartizimit të teksteve dhe të shumë elementeve të tjera që kanë të bëjnë me dimensionin edukativ, arsimor, kulturor.”

Presidenti i Kosovës falënderoi Shqipërinë për ndihmën ndaj Kosovës, duke theksuar se Prishtina pret gjithnjë ndihma nga Tirana. Të dy presidentët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit rajonal përfshirë dhe atë me Serbinë, me të cilën Kosova ka nisur tanimë dhe bisedimet.

“Nuk mund Kosova të ketë mbi 60-65 për qind të kufijve të saj të blinduar, të mbyllur. Nuk mund Kosova sot të vuajë nga bandat kriminale, të cilat veprojnë në territorin e Kosovës. Prandja Kosova ka nevojë për biseda. Është e mbrapsht ideja që të mos bisedohet. Kur armët pushojnë dhe fillojnë bisedat, është fat. Ne kemi më shumë gjëra të bisedojmë”, tha Presidenti Pacolli.

Presidenti Pacolli këmbënguli në forcimin e marrëdhënieve me Shqipërinë në të gjitha takimet që ka patur në Tiranë, ku u prit edhe nga kryeministri Sali Berisha, nga Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli dhe nga Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama. Presidenti Pacolli mbajti një fjalim edhe para parlamentuit shqiptar.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG