Presidenti amerikan Joe Biden foli me Presidentin kinez Xi Jinping të enjten mes shqetësimit në rritje nga pala amerikane se angazhimi i nivelit të lartë ndërmjet këshilltarëve kryesorë të dy udhëheqësve ka qenë kryesisht i pafrytshëm në fillimin e presidencës Biden.
Presidenti Biden ishte iniciatori i telefonatës me Presidentin Xi, e dyta midis dy udhëheqësve që kur Biden mori detyrën.
Telefonata vjen në një moment kur nuk mungojnë çështjet e mprehta midis dy vendeve, përfshirë shkeljet e sigurisë kibernetike me origjinë nga Kina, menaxhimi nga Pekini i pandemisë së koronavirusit dhe ato që Shtëpia e Bardhë i ka quajtur praktika tregtare "shtrënguese dhe të padrejta" nga Kina.
Por synimi i Presidentit Biden në telefonatën 90-minutëshe ishte më pak i fokusuar tek ndonjë nga çështjet e nxehta, por më tepër në diskutimin e së ardhmes së marrëdhënies SHBA-Kinë, pasi nisi në një fillim vërtet të vështirë në mandatin e tij.
Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë se "dy udhëheqësit patën një diskutim të gjerë strategjik gjatë të cilit diskutuan fushat ku interesat tona konvergojnë dhe fushat ku interesat, vlerat dhe perspektivat tona ndryshojnë".
Shtëpia e Bardhë shpreson se të dy palët mund të punojnë së bashku për çështjet me interes të ndërsjellë - përfshirë ndryshimin e klimës dhe parandalimin e një krize bërthamore në Gadishullin Korean - pavarësisht dallimeve në rritje në qëndrimet e tyre.
Facebook Forum