Në Shqipëri presidenti i Republikës Bamir Topi pati sot një takim me ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Europian dhe OSBE-së me të cilët diskutoi mbi çështjen e zgjedhjeve të 8 majit.
Presidenti i Republikës theksoi rëndësinë e madhe të këtyre zgjedhjeve jo vetëm për të përcaktuar përfaqësuesit e rinj të organeve drejtuese të pushtetit vendor, por dhe për të treguar aftësinë dhe maturinë e partive politike dhe të vetë zgjedhësve në realizimin e zgjedhjeve demokratike, korrekte, të drejta e sipas standardeve të duhura.
Gjithashtu, Kreu i Shtetit shqiptar përsëriti qëndrimin e tij të palëkundur për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme vendore, të dekretuara sipas afateve kushtetuese, më 8 maj 2011. Sipas njoftimit nga zyra e shtypit e presidentit Topi, të tre ambasadorët ndanë të njëjtin mendim lidhur me përgatitjen dhe zhvillimin e suksesshëm, sipas standardeve dhe afateve kushtetuese dhe ligjore të zgjedhjeve vendore të 8 majit.
Kreu i shtetit shqiptar, së bashku me ambasadorët e SHBA, Bashkimit Europian dhe OSBE-së, nënvizuan domosdoshmërinë që faktorët politikë shqiptarë të përgatisin së bashku e të realizojnë me sukses zgjedhjet vendore në mënyrë që qytetarët shqiptarë të gëzojnë frytet e zgjedhjeve të lira, të drejta e demokratike.