Lidhje

Prelec: Situata në Maqedoni, shqetësuese


Një zyrtar i Grupit të Krizave thotë se situata në Maqedoni është shqetësuese. Marko Prelec, Drejtor i Projektit të Ballkanit thotë se që nga Marrëveshja e Ohrit jo vetëm që nuk ka pasur përparim në marrëdhëniet mes komuniteteve, por ka pasur hapa drejt çintegrimit. Megjithatë zoti Prelec thotë se duke pasur parasysh sfidat e vendit, Maqedonia ka shënuar përparim. Kolegia Keida Kostreci bisedoi me zotin Prelec:

Zëri i Amerikës: Zoti Prelec, vrasja e pesë vetëve në Maqedoni e ka trazuar situatën në vend. A mendoni se gjendja po shkon drejt destabilizimit?

Marko Prelec: Është herët të arrish në këtë përfundim, por unë jam i shqetësuar dhe mendoj se gjithkush që e sheh këtë situatë duhet të jetë i shqetësuar, sidomos po të kesh parasysh që ndodh pas tensioneve ndëretnike në Maqedoni para dy muajsh, ku nuk pati të vrarë, por shumë vetë u plagosën dhe pati shenja të një zemërimi të thellë nga të dyja komnunitetet. Po ashtu në rajon nuk ka ndodhur ndonjë gjë aq e rëndë sa këto vrasje për një kohë të gjatë dhe kjo gjithashtu është një shenjë thellësisht shqetësuese. Mendoj se është inkurajuese që policia po punon me profesionalizëm dhe qeveria po bën përpjekjet e duhura për të parndaluar nxehjen e gjakrave, por gjithsesi unë jam shumë i shqetësuar.

Zëri i Amerikës: Dhe a mendoni se këto lloj tensionesh kanë qenë të pranishme gjithë kohën dhe tani po manifestohen, apo se ky është një moment dhe situata do të qetësohet?

Marko Prelec: Të them të vërtetën nuk e di. Ka pakënaqësi nga të dyja palët që kanë qenë aty që para konfliktit të vitit 2001 dhe kjo situatë acarohet edhe më shumë nga zhgënjimi nga mungesa e përparimit për anëtarësimin në NATO – një proces për të cilin Maqedonia është gati – dhe Bashkimin Evropian për shkak të mosmarrëveshjes qesharake për emrin me Greqinë. Por them se nuk duhet të nxitohemi me përfundime.

Zëri i Amerikës: Ka pasur kritika, që më shumë se një dekadë pas Marrëveshjeve të Ohrit, nuk ka pasur përpjekje të mjaftueshme për integrim dhe komunitetet janë ende po aq të ndara nga njëra-tjetra sa edhe para marrëveshjeve. Cilat janë arsyet sipas jush?

Marko Prelec: Unë do të shkoja edhe më tej, do të thoja që ka pasur përpjekje për çintegrim. Mendoj se kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së vullnetit nga ana e qeverisë në Shkup për ta bërë Shkupin, kryeqytetin e një vendi dygjuhësh, një kryeqyetet dygjuhësh që të krijonte idenë se i takonte të dyja komuniteteve dhe në fakt ka pasur përpjekje për ta bërë që të dukej si etnikisht maqedonas, me projektin Shkupi 2014, ndërtimin e shpenzueshëm e monumenteve që kanë lidhje me etninë maqedonase. Nga ana tjetër përfaqësusesit e komunitetit shqiptar e kanë pranuar statusin jo si partnerë në projektin kombëtar por më shumë si udhëheqës të një pakice. Kjo nuk ka ndihmuar. Megjithatë duhet thënë që Maqedonia po bën diçka vërtet të vështirë. Është një vend i vogël me dy komunitete shumë të ndryshme, që ka pasur një konflikt civil, pa një gjuhë të përbashkët. Duke pasur parasysh sfidat me të cilat përballet, ka shënuar përparim të konsiderueshëm. Ka vend për përmirësim por nuk ka arsye për dëshpërim.

Zëri i Amerikës: Çfarë hapash konkrete duhet të marrin të dyja komunitetet, për të shmangur rrezikun e destabilitetit?

Marko Prelec: Ka nevojë për të qenë më të hapur. Siç rekomandoi Grupi i Krizave në një raport të fundit, qeveria duhet t’i zbatojë të gjitha klauzolat për gjuhën në Marrëveshjen e Ohrit, të japë fonde shtesë për kulturën dhe gjuhën shqipe, gjëra të thjeshta si emra rrugësh në të dyja gjuhët, emrat e godinave qeveritare në dy gjuhë në Shkup. Është simbolike, por është shenjë respekti për një komunitet shumë të rëndësishëm në vend. Gjërat janë përmirësuar sidomos me qeverinë e re dhe me vendimin për vendosjen e ministrave shqiptare në dikastere të rëndësishme dhe ky është një hap përpara. Na duhet të shohim më shumë hapa të tillë.

XS
SM
MD
LG