Lidhje

Prelec propozon zgjidhje të përkohëshme për veriun e Kosovës


Prelec propozon zgjidhje të përkohëshme për veriun e Kosovës
Prelec propozon zgjidhje të përkohëshme për veriun e Kosovës

Grupi Ndërkombëtarë i Krizave ka bërë thirrje sot që Kosova dhe Serbia të mos lejojnë se që mosmarrëveshjet e tyre për statusin të pengojnë përparimin për banorët e veriut të Kosovës. Në raportin e kësaj organizate me titullin “Veriu i Kosovës: Sovraniteti i Dyfishtë në Praktikë”, thuhet se deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare politike, palët duhet të kërkojnë zgjidhje të përkohshme për përmirësimin e sundimit të ligjit, grumbullimin e të hyrave doganore dhe ndihmën financiare për veriun.

Drejtori Ekzekutiv për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtarë të Krizave, Marko Prelec, tha sot se veriu i Kosovës nuk paraqet një rrezik ekzistencial për Kosovën, prandaj atje duhet kërkuar zgjidhje të përkohshme deri në zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje. Ai i bëri këto komente në një bisedë për Zërin e Amerikës, pak kohë pasi që Grupi Ndërkombëtarë i Krizave publikoi raportin e tij me titullin “Veriu i Kosovës: Sovraniteti i Dyfishtë në Praktikë”.

Në këtë raport thuhet se mosmarrëveshjet midis Kosovës dhe Serbisë, që mbajnë Ballkanin Perëndimor të ndarë dhe të pasigurt, qëndrojnë në problemet në komunat veriore të Kosovës. Bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, duket që në muajt e ardhshëm do të trajtojë bashkëpunimin rajonal, komunikacionin, lirinë e lëvizjes dhe sundimin e ligjit. Tash për tash Beogradi, Prishtina dhe Brukseli kanë vendosur se adresimi i qeverisjes së veriut apo statusi i asaj pjese është çështje e vështirë para se të sigurohet bashkëpunimi në përmirësimin e zhvillimit rajonal socio-ekonomik, të sigurisë dhe rendit publik, thuhet në raport.

Marko Prelec nga Grupi Ndërkombëtar i krizave tha se edhe Kosova edhe Serbia e cilësojnë veriun si pjesë të shtetit të tyre dhe të dyja kanë institucione në atë zonë. Sa herë që ka mosmarrëveshje për veriun Prishtina dhe Beogradi por edhe palët e interesuara nga bashkësia ndërkombëtare, provojnë që këtë ta zgjidhin duke vënë theksin në sovranitetin. Kjo nuk është e mirë për njerëzit atje dhe e kanë shndërruar atë pjesë në zonë të vështirë për të jetuar.

Palët nuk duken të gatshme për të zgjidhur çështjen së shpejti dhe ata duhet ta pranojnë këtë, t’u japin fund debateve dhe të gjejnë zgjidhje të përkohshme për veriun që janë të mira për banorët e atjeshëm”, tha zoti Prelec duke hedhur poshtë mundësinë që këto zgjidhje të çojnë në ndonjë status të veçantë për veriun.

Jo, kjo ka të bëjë me çështje shumë praktike, me fushën e sundimit të ligjit, ta zëmë, me doganat. Tash për tash atje është një regjim i pjesshëm doganor ku disa paguajnë e disa jo, kështu që ka mjaft kontrabandë në veri. Pjesë e shkaqeve është mosmarrëveshja se kujt i takojnë taksat. Është lehtë të gjendjet një kompromis, për shembull që EULEX-i të mbledhë doganat ne pikat kufitare dhe të lërë mënjanë ato para në pritje të marrëveshjes ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, tha zoti Prelec.

Po ashtu thotë ai njësoj mund të veprohet me Gjykatat në veri ku mund të ketë gjykata ku do të punojnë gjykatës serb, shqiptarë dhe ata të EULEX-it që do të zbatonin ligje të aplikueshme për të cilat do të merreshin vesh, sepse më mirë është të ketë gjykata për pesë vitet e ardhshme sesa të mos ketë për pesë vitet e ardhshme.

Ai thotë se Prishtina dhe Beogradi nuk synojnë të hapin çështjen e veriut në këtë periudhë të bisedimeve dhe për këtë nuk do të jenë të inkurajuara as nga bashkësia ndërkombëtare.

Arsyeja e bisedimeve është që në fund të fundit të arrihet në atë pikë kur Prishtina dhe Beogradi mund të zgjidhin të gjitha çështjet e hapura, që do të thotë se Kosova dhe Serbia duhet të njohin njëra tjetrën, të vendosin se si do ta bëjnë këtë, dhe të vendosin çfarë të bëjnë me veriun, por kjo do të zgjasë disa vite”, thotë zoti Prelec sipas të cilit veriu nuk është rrezik ekzistencial për Kosovën.

Ai tha se strategjia për integrimin e veriut e paralajmëruar nga qeveria e Kosovës nuk do të mund të zbatohet. Ajo është e mbështetur në planin e Martti Ahtisarit i cili refuzohet nga banorët e atjeshëm, të cilët veriun e shohin si vijën e fundit kundër pavarësisë së Kosovës.

XS
SM
MD
LG