Lidhje

Sekretari i Shtetit, Pompeo i bën thirrje Kosovës të heqë tarifat ndaj Serbisë


Shtetet e Bashkuara u kërkuan autoriteteve të Kosovës që të heqin tarifat ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina dhe të punojnë me Serbinë për të shmangur provokimet dhe zbutur tensionet.

Ky qëndrim u shpreh në një deklaratë të zëdhënëses së Departamentit të Shtetit, pas një takimi që Sekretari i Shtetit, Mike Pompeu pati të hënën me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ku ai i bëri thirrje Kosovës të përfitojë nga rrethanat e krijuara për të arritur një marrëveshje historiike me Serbinë.

“Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është e vetmja mënyrë për t’u hapur rrugën të dy vendeve për integrimin e ardhshëm në komunitetin e vendeve perëndimore. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë dhe të mbështesin palët për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme, të zbatueshme dhe që të rrisë stabilitetin”, thuhet në deklaratë.

Pas takimit, presidenti Thaçi nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes së Zërit të Amerikës, nëse e shihte vendimin për tarifat si një qëndrim kundër bisedimeve me Serbinë apo kundër ideve të tij për korrigjimin e kufirit si rrugë e normalizimit të marrëdhënieve me Beogradin, por e vuri theksin tek nevoja e zgjidhjes së problemeve me Serbinë.

“Mendoj se vetë krijimi i rrethanave të reja dhe në Kosovë dhe në Serbi dhe në rajon, por edhe në botë - sepse bota ka ndryshuar, Evropa po ndryshon, rajoni ynë është në udhëkryq - shtojnë domosdoshmërinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi”.

Ai tha se Kosova duhet “ta heqë qafe një herë e për gjithmonë çështjen e Serbisë dhe të fokusohet në zhvillimin ekonomik, në rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve, në krijimin e vendeve të reja të punës dhe të mos humbim kohë ne tash e tri dekada, vetëm me Serbinë, Serbinë, Serbinë”.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi takohet me Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:28 0:00

Presidenti Thaçi tha se përfundimi i përbashkët nga takimi me zotin Pompeo ishte se marrëveshja me Serbinë "do të sjellë edhe më tepër paqe dhe stabilitet, edhe në Kosovë, edhe në Serbi, edhe në tërë rajonin, që do të hapë perspektivë evropiane, të shpejtë, konkrete për dy vendet dhe popujt tanë”.

“Konfirmimi dhe mbështetja e plotë dhe e fuqishme e Sekretarit të Departamentit amerikan (të Shtetit) zotit Pompeo për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi, pra të dialogut dhe negociatave dhe inkurajimi që kjo marrëveshje të arrihet sa më shpejt që të jetë e mundur, është edhe një impuls tjetër edhe për mua si President i vendit, për institucionet e Republikës së Kosovës, të gjitha pa dallim, për fuqizimin e rolit tonë të brendshëm, arritjen e një konsensusi sa më të gjerë politik dhe përmbylljen e këtij procesi me një rrugë shumë transparente, efikase, të implementueshme edhe në Kosovë”, tha zoti Thaçi.

Presidenti i Kosovës tha se pret hapa konkretë dhe lëvizje edhe më të shpejta në ditët dhe javët e ardhshme.

Çështja e Tarifave

Qeveria e Kosovës vendosi më 21 nëntor, që të rrisë në 100 për qind taksën për mallrat e importuara nga Serbia, vetëm një ditë pasi që Kosova dështoi të sigurojë votat e mjaftueshme për anëtarësim në agjencinë ndërkombëtare të policisë, INTERPOL.

Kosovo Serbia Tax
Kosovo Serbia Tax

​Vendimi nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit dhe serbëve të Kosovës të cilët kanë paralajmëruar protesta të reja me kërkesën për heqjen e taksës. Bashkimi Evropian i kërkoi Kosovës të tërheqë vendimin duke e cilësuar atë si shkelje të CEFTA-s.

Vendimi shtoi tensionet në marrëdhëniet edhe ashtu shumë të tensionuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Beogradi, i cili eksporton ne Kosovë mallra në vlerë prej rreth 400 milionë eurosh në vit, kërkoi heqjen e taksës si kusht për vazhdim të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve.

Takim i pritshëm Thaçi-Bolton dhe çështja e kufijve

Të martën Presidenti Thaçi pritet të takohet me Këshilltarin për Sigurinë Kombëtare të presidentit amerikan, Donald Trump, John Bolton. Zoti Bolton, ishte i pari zyrtar i lartë i administratës amerikane që tha se Shtetet e Bashkuara do të ishin të gatshme ta merrnin parasysh një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë që do të përfshinte ndryshim kufijsh.

Bolton: Nëse Kosova e Serbia bien dakord, nuk e kundërshtojmë rregullimin e territoreve
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:08 0:00

Në gusht, ai tha se mosmarrëveshjet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës kanë mbetur ndër çështjet më me peshë dhe shumë njerëz kanë bërë përpjekje të ndërmjetësojnë por kanë dështuar. Ai tha se ka shenja se të dyja qeveritë janë të vullnetshme që të negociojnë për këtë.

"Politika jonë, politika e Shteteve të Bashkuara është që nëse të dyja palët arrijnë marrëveshje, ne nuk e përjashtojmë rregullimin territorial. Qartazi është një çështje e vështirë. Nëse nuk do të ishte, do të ishte zgjidhur shumë kohë më parë. Por ne nuk do të bëhemi pengesë dhe nuk mendoj se ndokush në Evropë do të bëhet pengesë nëse të dyja palët arrijnë një marrëveshje të ndërsjellë e të kënaqshme", tha zoti Bolton.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjatë verës kërkuan mbështetje ndërkombëtare për një marrëveshje normalizimi ndërmjet të dyja vendeve, përfshirë edhe mundësinë e prekjes së kufijve.

Këto ide nxitën reagime të shumta në Kosovë dhe në Serbi, por edhe në skenën ndërkombëtare, ndërmjet atyre që do ta pranonin një marrëveshje që arrihet mes palëve dhe atyre që e kundërshtuan sikurse Gjermania që ishte më e zëshmja kundër ideve të tilla.

Presidenti Thaçi ka përsëritur për muaj të tërë se angazhohet për korrigjim kufiri që nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën. Por, ai mbeti pothuajse i vetmuar në Kosovë ku idetë e tij po kundërshtohen jo vetëm nga opozita por edhe pjesa më e madhe e koalicionit qeverisës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha ditëve të fundit se ideja e tij për kufizimin ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, nuk gjeti mbështetje në Serbi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG