Lidhje

Pompeo: Kemi identifikuar disa nga sauditët e dyshuar


Sekretari i Shtetit Mike Pompeo thotë se Shtetet e Bashkuara kanë identifikuar tashmë disa nga sauditët të dyshuar për përfshirje në vrasjen e gazetarit të Washington Post-it Jamal Khashoggi.

Autoritetet amerikane po u mohojnë atyre vizat e udhëtimit dhe po shqyrtojnë masa shtesë.

Vrasja e gazetarit saudit Jamal Khashoggi tre javë më parë vazhdon të jetë në qendër të politikës në Uashington. Presidenti Donald Trump u pyet se si mund të ndodhte diçka e tillë në konsullatën saudite në Stamboll.

"Qysh në fillim ata patën një ide shumë të keqe e cila u realizua keq. Gjithashtu, mbulimi i asaj që ndodhi ishte ndër më të shëmtuarat që kanë ndodhur ndonjëherë. E thënë thjesht, ishte një vepër e ulët që as që duhej menduar," tha Presidenti Trump.

Pas takimit me udhëheqësit sauditë javën e kaluar, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo u tha gazetarëve se SHBA tashmë po ndërmarrin veprime bazuar në faktet që kanë deri tani:

"Ne kemi identifikuar të paktën disa prej individëve përgjegjës, përfshirë ata në shërbimet e inteligjencës, Gjykatën Mbretërore, Ministrinë e Jashtme dhe ministritë e tjera saudite, që ne dyshojmë se kanë qenë të përfshirë në vdekjen e zotit Khashoggi. Ne po ndërmarrim veprimet e duhura, që përfshijnë anulimin e vizave".

Dje, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan hodhi poshtë pretendimet saudite se përgjegjës për vrasjen ishin "agjentë të dalë jashtë kontrollit":

"Fajësimi i disa agjentëve të inteligjencës nuk na kënaq ne, as bashkësinë ndërkombëtare. Ndërgjegjja e njerëzimit do të jetë e kënaqur vetëm pasi të vihet gishti tek të gjithë, nga ata që i dhanë urdhrat tek ata që i zbatuan".

Presidenti Erdogan nuk përmendi njoftimet për një regjistrim audio të vrasjes. Disa ekspertë thonë se zoti Erdogan mund ta përdorë informacionin që ka si mjet në avantazhin e tij.

"Të paktën turqit duan diçka. Dhe nëse ata marrin atë që duan, nuk do të ketë kurrë as audio, as video, dhe as foto të vizave", thotë James Smith, ish ambasador i SHBA në Arabinë Saudite.

Ekspertët e tjerë thonë se zoti Erdogan jo vetëm që dëshiron të jetë një lojtar i rëndësishëm në skenën politike globale, por po konkurron gjithashtu me Arabinë Saudite për të qenë udhëheqës i botës islamike.

"Arabia Saudite, tradicionalisht për shkak të vendeve të shenjta që ka, është parë ose shihet si udhëheqëse e botës islame. Prandaj mund të thuhet se ka një farë konkurrence, që është në sfond të asaj që po shohim", thotë Kemal Kirisci i Institutit Brooking në Uashington.

Megjithë protestat e tanishme në mbarë botën për vrasjen, Princi saudit i Kurorës, Mohammad bin Salman u prit ngrohtë dje në një konferencë investimesh në Riad, edhe pse shumë udhëheqës të biznesit dhe politikës vendosën të mos merrnin pjesë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG