Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo akuzoi Iranin për sulmet ndaj dy objekteve saudite të naftës, për të cilat përgjegjësinë e morën kryengritësit Huthi të Jemenit që mbështeten nga Irani.
Në dy komente në Twitter të shtunën, zoti Pompeo tha se nuk ka prova që sulmet të kenë ardhur nga Jemeni.
Ai tha se “Teherani është pas afro 100 për qind të sulmeve kundër Arabisë Saudite ndërkohë që (Presidenti iranian) Rouhani dhe (ministri i Jashtëm) Zarif pretendojnë se bëjnë diplomaci.”
"Shtetet e Bashkuara do të punojnë me partnerët dhe aleatët tanë për të siguruar që tregjet e energjisë do të mbeten të furnizuara mirë dhe që Irani të mbahet përgjegjës për agresionin e tij," tha zoti Pompeo.
Sipas njoftimeve të shumta të lajmeve që citojnë burime të paidentifikuara, sulmet me dronë kanë prekur deri gjysmën e furnizimeve nga eksportuesi më i madh në botë i naftës, megjithëse prodhimi besohet se mund të normalizohet brenda pak ditësh.
“Mes gjithë thirrjeve për çtensionim të situatës, - shkruante sekretari Pompeo në komentet e tij, - Irani tani ka filluar një sulm të paparë mbi furnizimin me energji në botë. Nuk ka asnjë provë se sulmet erdhën nga Jemeni.”
Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Donald Trump foli me Princin saudit të Kurorës, Mohammad bin Salman duke i ofruar mbështetje për vetëmbrojtjen e Arabisë Saudite.
Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë tha se e dënon me forcë sulmin e së shtunës kundër një infrastrukture me rëndësi kritike për energjinë. Ajo tha se “veprimet e dhunshme kundër zonave civile dhe infrastrukturave jetike për ekonominë globale vetëm sa e thellojnë konfliktin dhe mosbesimin.”
Chris Murphy, anëtar demokrat i Komisionit të Jashtëm të Senatit, e quajti deklaratën e zotit Pompeo një thjeshtëzim të papërgjegjshëm të situatës.
Ai shkruante në Twitter se “Sauditët dhe fraksioni Huthi janë në luftë. Sauditët i sulmojnë luftëtarët Huthi dhe këta të fundit kundërpërgjigjen. Irani i mbështet luftëtarët Huthi dhe sillet si një aktor i keq, por kjo nuk është aq thjeshtë sa të thuhet Huthi = Iran.” “Ja se si ne hyjmë në luftëra idiote që i zgjedhim vetë”, shkruante senatori.
Dronët sulmuan objektin më të madh në botë për përpunimin e naftës në Arabinë Saudite dhe një fushë të madhe nafte të kompanisë Aramco të shtunën në mëngjes, duke shkaktuar një zjarr të madh në një nga rafineritë më të rëndësishme për furnizimet globale me naftë.
Nuk është e qartë nëse ka patur ndonjë viktimë gjatë sulmeve në fushat e naftës Buqyaq dhe Khurais, apo se çfarë efekti do të ketë ky zhvillim në prodhimin e naftës në mbretërinë saudite.
Në videot e publikuara në internet, të xhiruara siç duket në Buqyaq, dëgjohet zhurmë armësh në sfond.
Tymi dhe flakët mund të shiheshin nga larg në objektin Abqaiq të përpunimit të naftës.
Ministria e brendshme saudite tha përmes një deklarate se zjarret filluan pasi objektet ishin vënë "në shënjestër të droneve”.
Kompania Saudi Aramco e përshkruan objektin e saj të përpunimit të naftës Abqaiq në Buqyaq si "impiantin më të madh të naftës së papërpunuar në botë".
Objekti përpunon naftën dhe më pas e dërgon atë në pikat e transportit në Gjirin Persik dhe Detin e Kuq. Llogaritet se ky impiant mund të përpunojë deri në 7 milion fuçi naftë në ditë.
Facebook Forum