Në Shqipëri, shumica dhe opozita shkëmbyen sot sinjale lëshimi për zgjidhjen e ngërçit që lidhet me hetimin e zgjedhjeve të qershorit 2009, kur kryetari socialist Edi Rama u ul në tryezën e thirrur nga kryeministri Sali Berisha për nisjen e punës mbi reformën zgjedhore. Zoti Rama i dorëzoi kryeministrit një ofertë të re duke thënë se reforma elektorale mund të zhvillohej paralelisht me hetimin e zgjedhjeve. Zoti Berisha nga ana e tij deklaroi më pas se hiqte dorë nga djegia e fletëve të votimit.