Lidhje

Rritet presioni politik ndaj Poroshenkos


Presioni politik po rritet brenda dhe jashtë vendit ndaj Presidentit të Ukrainës Petro Poroshenko, me kritika se atij i mungon orientimi në luftën kundër kryengritjes pro-Moskës në lindje dhe se nuk po merr masa të shpejta drejt reformës.

Një muaj pasi Ukraina mbajti zgjedhjet e para parlamentare që pas përmbysjes së Presidentit pro-Moskës Viktor Yanukovych, politikanët ende po debatojnë për formimin e qeverisë së re. Në përpjekje për të zbutur kritikat për zvarritjet, zoti Poroshenko premtoi se vendi do të ketë së shpejti një qeveri të re.

Vonesat për shkak të lojrave politike për postet e kabinetit kanë shkaktuar nervozizëm tek udhëheqësit e huaj që kanë vizituar vendin, përfshirë nënpresidentin amerikan Joe Biden i cili gjatë një udhëtimi në Kiev, javën e kaluar i bëri thirrje klasës politike që të formonte një qeveri të re së shpejti. “Duhet të krijohet për disa ditë, jo javë”, tha ai.

Vonesat në formimin e qeverisë, shkaktojnë zvarritjen e reformave që ishin kërkuar nga protestuesit e sheshit Maidan, që rrëzuan nga pushteti ish-presidentin Yanukovych në fillim të vitit. Dhe aktivistët paralajmërojnë se mund të ketë probleme, nëse reformat nuk fillojnë shpejt dhe nëse korrupsioni politik i përhapur nuk çrrënjoset.

Yuriy Bereza është komandant i milicisë Dnipro, një nga 37 batalionet vullnetare pro-bashkimit që u krijuan për të ndihmuar në frendimin e kryengritjes separatiste në Ukrainën lindore, të mbështetur nga Moska. Ai është i pakënaqur nga ritmi i ngadaltë i ndryshimit që nga protestat e sheshit Maidan.

“Nuk e kuptoj se përse po vazhdojnë kaq ngadalë. Pse politikanët po e trajtojnë Ukrainën si një lojë me Lego, duke ndërtuar diçka një ditë dhe rrëzuar të nesërmen, për të ngritur diçka tjetër. Kam frikë se Poroshenko nuk është në gjendje për ndryshim të shpejtë”.

Ai nuk është i vetmi që është i shqetësuar. Alexandri, kishte dikur një agjenci të vogël reklamash në Donetsk, por e mbylli dhe iku me gruan dhe dy fëmijët, kur qyteti ra në duart e luftëtarëve separatistë. Familja e tij jeton tani në një dhomë, po shpenzon kursimet me shpejtësi dhe varet nga ndihmat për të mbijetuar. Ai thotë se e ardhmja e tij dhe e Ukrainës janë të lidhura dhe se barra më e rëndë për të çdo ditë është....

“Të jetoj pa plane për të ardhmen, pa e ditur se ç’do të ndodhë nesër”.

Përballimi i pasojave të regjimit të Yanukovychit, nuk do të ishte i lehtë në çdo lloj rrethane, por me kryengritjen separatiste, të mbështetur nga Moska që ende vazhdon në lindje, do të jetë edhe më e vështirë për një qeveri të re, për të kapërcyer sfidat.

Disa luftëtarë vullnetarë pro bashkimit, janë të indinjuar nga kufizimet ndaj tyre. Ata duan të luftojnë.

“Besoj se do të ishte e mundur për të ndërmarrë një sulm me forca speciale në Donetskin qendror për të rimarrë ndërtesat qeveritare që janë në duart e separatistëve atje. Por për shkak të marrëveshjes për armëpushim të Minskut, qeveria nuk e lejon një gjë të tillë. Separatistët e shkelin çdo ditë armëpushimin dhe ukrainasit janë të vetmit që përmbahen”, thotë komandanti i batalionit Dnipro.

Me krijimin e një qeverie të re, shumë ukrainas presin një ndryshim të shpejtë dhe një rrugëzgjidhje për kryengritjen, një objektiv i vështirë për t’u arritur.

XS
SM
MD
LG