Në Tiranë gjykata vendosi sot të mbajë në arrest me burg drejtorin e Fondit për Sigurimin e Kujdesit Shëndetësor Pjerin Xhuvani dhe të pandehurin Hysni Roci, si autorë të një skeme mashtrimi me rimbursimin e ilaceve.
Po ashtu 3 punonjës u vendosën në arrest shtëpie, ndërsa 4 përfaqësues të farmacive morën masën për paraqitje të detyruar para drejtësisë.
Ata akuzohen se kanë ndërtuar një skemë mashtruese me dokumenta, duke përvetësuar para nga rimbursimet e ilaçeve deri në 560 mijë dollarë amerikanë.
Prokuroria e Tiranës publikoi sot të dhëna mbi hetimet ndaj këtij grupi personash që akuzohen për “mashtrim me subvensione”, “falsifikim i dokumentave shëndetësore”, “Pastrim i produkteve të veprës penale” dhe “shpërdorim i detyrës”.
Sipas hetimeve mbi dokumentat e zbuluara, Drejtoria Rajonale e Fondit Tiranë ka lidhur kontrata me 4 farmaci duke shkelur hapur ligjin për kontrollin e tyre para se të arrihej në një kontratë për rimbursimin e ilceve.
Drejtori Pjerin Xhuvani dhe komisioneret e drejtorisë rajonale, F.B, Frida Lamçe, Keti Mahmutaj dhe Edlira Mara nënshkruan procesverbale dhe dokumenta të tjera të falsifikuara se gjoja kryen inventare dhe kontrolle në 4 farmaci në Lundër, Bërzhitë dhe Tiranë.
Drejtori Xhuvani ka shkelur ligjin dhe aktet nënligjore gjatë nënshkrimit të 4 kontratave, madje njërën prej tyre e ka nënshkruar pa patur asnjë akt kontrolli, sipas ligjit.
Vihet re se tre prej farmacive janë pronë e një personi.
Përgjegjësi i sektorit të rimbursimeve, E.C., nuk ka dhënë mendimin e tij për asnjë nga dosjet e kontratave.
Brenda 6 muajve, nga tetori 2014 deri në 31 mars 2015, të katër farmacitë kanë dorëzuar receta false për rimbursim ilaçesh deri 560 mijë usd.