Lidhje

Përshpejtohet procesi i krijimit të institucioneve të reja në Kosovë


Përshpejtohet procesi i krijimit të institucioneve të reja në Kosovë
Përshpejtohet procesi i krijimit të institucioneve të reja në Kosovë

Parlamenti i ri i Kosovës do të mblidhet më 21 shkurt në vend të 24 shkurtit siç ishte vendosur fillimisht. Ndryshimi datës së mbledhjes së tij pasoi vendimin e mbrëmshëm të Partisë Demokratike të Kosovës që t’i jap postin e presidentit, Aleancës Kosova e Re, duke i hapur rrugën themelimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Ky vendim pasoi debatet disaditëshe të pasuksesshme ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës që është fituese e zgjedhjeve dhe Aleancës Kosova e Re e cila u radhit si forca e pestë politike në vend. Aleanca Kosova e Re refuzoi ofertën e Partisë Demokratike, që ajo të marrë postin e kryetarit të parlamentit dhe të paktën katër ministri në qeverinë e ardhshme. Aleanca Kosova e Re nguli këmbë që kryetari i saj Behgjet Pacolli të ketë postin e presidentit duke paralajmëruar qëndrimin në opozitë nëse kjo nuk realizohet. Fillimisht u tha se Partia Demokratike kishte që për këtë post të kandidojnë sekretarin e kësaj partie Jakup Krasniqi i cili aktualisht ushtron detyrën e presidentit të Kosovës. Zoti Krasniqi pritet të kandidohet për postin e kryetarit të Parlamentit dhe sot tha që nuk ndjehet keq nga vendimi i partisë së tij.

"Jo, nuk ndihem i tradhtuar. Koalicionet dhe bisedimet për koalicion nënkuptojnë edhe kompromiset, më ka ra hise që unë të jam viktima e kompromiseve”, tha Presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi.

Në fillim të javës që lamë pas, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e cila qe përvijuar si partneri më i mundshëm i koalicionit qeverisës, vuri si kusht përfshirjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila nga ana e saj bashke me lëvizjen vetëvendosje ka deklaruar se do të qëndrojë në opozitë. Kjo ka bërë që Partisë Demokratike t’i mbetet mundësia që qeverinë ta bëjë me pakicat kombëtare, Aleancën Kosova e Re dhe Listën Ibrahim Rugova e cila ka një deputet në parlamentin e ri të Kosovës. Partitë opozitare kritikuan vendimin e Partisë Demokratike me të cilin ajo siç thuhet mund të sigurojë shumicën e thjeshtë parlamentare, por jo edhe qëndrueshmërinë aq të nevojshme politike për të përballur sfidat që ndodhen para Kosovës. E sfidat janë të shumta, përfshirë ndryshimin e imazhit të Kosovës, rimëkëmbjen ekonomike, bisedimet me Serbinë dhe afrimin me strukturat e Bashkimit Evropian, meqë Kosova është vendi i vetëm në Evropën Juglindore që ka mbetur jashtë procesit të liberalizimit të vizave.

Disa dhjetëra përfaqësues të organizatave joqeveritare, të mbledhura në "Koalicionin për Demokraci", protestuan sot në qendër të Prishtinës, kundër siç thuhet “getoizimit të Kosovës". Protestuesit bën thirrje kundër bllokadës ekonomike të Kosovës si dhe për liberalizimin e vizave për qytetarët e saj.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG