Proçesi i numërimit të votave ka përfunduar sot në mesditë në Gjirokastër për të njëmbëdhjetë njësitë e qeverisjes vendore. Socialistët kanë fituar Bashkinë e Gjirokastrës, ndërsa demokratët kanë fituar Bashkinë e Libohovës.
Në katër komuna që banohen nga pakica greke ka fituar Partia e të Drejtave të Njeriut , në dy Partia Socialiste dhe në pesë të tjera Partia Demokratike. Vetëm rezultati në një komunë është kontestuar nga kandidati i koalicionit të majtë “Aleanca për të ardhmen”, i cili humbi me katër vota ndaj kantidatit të djathtë.
Pjesëmarrja në votime është mbi 55% dhe vlerësohet e kënaqshme duke pasur parasysh nivelin e lartë të emigracionit. Nga rezultatet zyrtare që tashmë janë shpallur dhe në njësitë e tjera vendore në Jug të Shqipërisë del se ka fituar vetëm një grua.
Mimoza Arapi do të drejtojë Bashkinë e Konispolit në skajin më jugor të Shqipërisë. Ndërkaq, nga të gjitha njësitë vendore ka fituar vetëm një kantidat i pavarur. Vadimir Kumi që drejton aktualisht Komunën e Lukovës është rizgjedhur.Komisionet zonale zgjedhore njoftuan se edhe në dy bashki të mëdha atë të Fierit dhe të Korçës proçesi ka përfunduar. Niko Peleshi i Koalicionit të majtë në Korçë dhe Baftjar Zeqaj në Fier kanë fituar ndaj kantidatëve të koaliconit të djathtë duke ripërsëritur mandatet e tyre.
Të dhënat nga pikëkalimet kufitare flasin se ka përfunduar rikthimi në Greqi i disa mijëra emigrantëve shqiptarë që votuan të dielën e 8 majit në mjaft prej qendrave të votimit.
Ndërkaq në ritme normale aktiviteti janë të gjitha njësitë vendore që duket se nuk janë ndikuar nga fushata zgjedhore në shërbimet ndaj qytetarëve.