Banorë të Gjirokastrës përcollën sot në banesën e fundit Ziver Veizin, demostruesin që u vra në protestat e 21 janarit. Udhëheqës të Partisë Socialiste të opozitës bënë homazhe pranë trupit të të ndjerit të vendosur në selinë vendore të kësaj partie.
Banorë të Gjirokastrës dhe të ardhur nga qytetet fqinje përcollën sot në banesën e fundit Ziver Veizin, njërin nga tre demostruesit që u vra në incidentet e dhunshme në protestën e 21 janarit në Tiranë.
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama , deputetë të Qarkut të Gjirokastërs dhe të Sarandës si dhe drejtues të lartë të kësaj partie bënë homazhe pranë trupit të të ndjerit që u vendos në selinë vendore të Partisë Socialiste në Gjirokastër. Për rreth dy orë qindra njerëz morën pjesë në heshtje në homazhet në nderim të viktimës.
Familjarë të Veizit kërkuan që drejtësia të hetojë sa më shpejt vrasjen e njeriut të tyre. Më pas trupi i viktimës u përcoll për në fshatin e lindjes, Zenelaj, rreth 15 kilometër larg qytetit të Gjirokastrës. Veizi ishte një aktivist i njohur i socialistëve lokalë dhe ishte kthyer nga Greqia për të marrë pjesë në demostratën e opozitës. Ai u qëllua me armë zjarrri në rrethana ende të pasqaruara nga organet e drejtësisë në Shqipëri.
Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë thirrje Prokurorisë në Shqipëri të zbardhë plotësisht ngjarjet në demostratën e 21 janarit dhe të vërë përpara drejtësisë autorët. Homazhe u bënë sot nga drejtuesit e opozitës edhe në qytetin e Fierit në nderim të Faik Myrtos një tjetri aktivist të opozitës që humbi jetën në demostratën e 21 Janarit në Tiranë.